Posti i presidentit, Tahiri: PDK-ja nuk ka votë për Haradinajn

08 dhjetor 2020 | 21:24

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Abelard Tahiri ka folur pas deklarimeve të fundit të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj rreth “hajnave të Prontos” dhe kandidaturës për president.

Ai në Pressing të TV7 ka thënë se qeverisja aktuale nuk ka asnjë përafrim sa i përket një kandidati të përbashkët për postin e presidentit.

“Deri sot nuk kemi asnjë ftesë zyrtare që të ulemi dhe të bisedojmë rreth një kandidati. Ka pasur takime dhe diskutime, por nuk kemi pasur diskutime të ftuara nga koalicioni qeverisës. Kosova është larg arritjes së një konsensusi për zgjedhjen e një presidenti”, është shprehur Tahiri.

Tahiri deklaratën e Haradinajt për ‘hajnat e Prontos’, duke iu referuar PDK-së, e ka quajtur një gjuhë degraduese, duke thënë se jo vetëm Haradinajn, por asnjë kandidat nga koalicioni qeverisës për president kjo parti nuk ta pranojë.

“Haradinaj di të bëjë befasi dhe me befasi të tilla ai shpesh i ka sjellë dëme vendit. PDK nuk ka votë për Haradinaj për president të Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e AAK-së Ahmet Isufi ka sqaruar se kandidatura e Haradinaj është bërë për shkak të gjendjes në vend, por nuk ka mund të konfirmojë nëse i ka votat e mjaftueshme, duke thënë se Kosova duhet të ketë presidentin e saj sa më shpejt dhe se kreu i AAK-së do të ishte njeriu më i përshtatshëm për të udhëhequr vendin. Tahiri ndërkaq nuk ka dashur të komentojë deklarimet e Haradinajt për ‘hajnat e Prontos”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka bërë të…