Postimi i Muratit për depozita mbi 5.3 miliardë, Bajrami: Rritja e çmimeve “e ka shtyer një popull të tërë të zhyten në borxhe”
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, lidhur me postimin që bëri dje për depozitat e ekonomive familjare, ku tha se për herë të parë tejkalojnë shifrën 4 miliardë euro.
Bajrami ka thënë se kjo shifër nuk është tregues i mirëqenies, derisa i ka sugjeruar të shikojë statistikat e mbitërheqjeve të qytetarëve në banka. Sipas Bajramit, rritja e çmimeve “e ka shtyer një popull të tërë të zhyten në borxhe”.
“…po një pjesë e qytetarëve që kanë gjendjen finanaciare pak më të mirë po i ruajnë paratë e tyre në banka, sepse po kursejnë, janë të kufizuar në shpenzime, s’po investojë ngase ka mungesë të sigurisë ekonomike dhe jo vetëm”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka thënë se sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, mbitërheqjet në banka janë rritë nga 1 milardë e 682 milionë euro sa ishin për vitin 2020, në 5 milardë e 342 milionë euro për vitin 2023.
“Këto janë borxhe afat shkurtra që qytetarët i marrin në banka për të financuar kryesisht konsumin familjar (në plot raste qytetarët hynë minus në bankë ka data 20 e muajit aktual dhe mandej me të marrë pagën në fillim të muajit pasues e kthejnë këtë borxh. Overdraftet i shfrytëzojnë edhe bizneset, jo për investime, me shumë për shpenzime operative)”, ka shkruar Bajrami.