Poterqi i Klinës me rrugë të asfaltuara
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, bashkë me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, dhe kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, kanë përuruar rrugët e asfaltuara të fshatit Poterq dhe fillimin e punimeve në fshatin Gjurgjevik i Madh.
Rrugët e fshatit Poterq kanë gjatësi mbi 6 kilometra dhe janë realizuar me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Projekti i rrugës së Gjurgjevikut të Madh me gjatësi prej 4 kilometra, do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe komunën e Klinës.
Ministri Lekaj ka thënë se Ministria e Infrastrukturës po e mban premtimin e dhënë banorëve të Poterqit para një viti, se ky fshat do të bëhet me infrastrukturë moderne.
Kurse për fillimin e punimeve në rrugën e Gjurgjevikut të Madh, ministri Lekaj duke e falënderuar MFSK-në për mbështetjen në realizimin e këtij projekti me rëndësi për banorët, ka thënë se kjo mbështetje e FSK-së që së shpejti do të shndërrohet në ushtri të vendit, po e dëshmon se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, krahas ofrimit të sigurisë për territorin e Kosovës.
Ministri MFSK-së, Rrustem Berisha, ka thënë se mbështetja e MFSK-së në këtë projekt për banorët e Gjurgjevikut, është dëshmia më e mirë se FSK-ja është e të gjithëve dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit.
Kurse kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar ministrin Lekaj dhe ministrin Berisha, për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pa rezervë dhënë komunave në tërë vendin, në këtë rast komunës së Klinës.
/Epoka e re/