Pothuajse të gjitha rastet me Covidnë Kosovë janë me variantin Omicron
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar se pothuajse të gjitha rastet e fundit janë të variantit Omicron, i cili përhapet jashtëzakonisht shpejt dhe lehtë në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Korona.
Pas rritjes së ndjeshme të rasteve pozitive të Covid-19 gjatë ditëve të fundit, sot është mbajtur mbledhja e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë Covid-19, shkruan “Epoka e re”.
Sipas njoftimit të MSh-së, në këtë takim u tha se ngadalësimi i rritjes së numrit të rasteve do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar.
“Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë qytetarëve që të vaksinohen sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese. Kjo do t’iu ofrojë mbrojtjen prej infektimit apo sëmundjes së rëndë, si dhe do ta ndihmojë Kosovën në tërësi, që të kalojë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.