Power: Asociacioni do t’i ndihmonte normalizimit të raporteve, Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të intesifikojnë përpjekjet e tyre që ta shpejtojnë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve.
Gjatë një konference për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Power deklaroi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do t’i ndihmonte normalizimit të raporteve dhe zhvillimit ekonomik.
“Në takimet me kryeministrin dhe znj.Osmani, unë e kam theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për normalizimin dhe kam inkuruajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt këtij normalizimi, sepse çdo përparim në këtë drejtim, do të ketë benefite për qytetarët e të dyja vendeve. Me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo do t’i ndihmojë poashtu normalizimit të raporteve dhe me këtë edhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit”, deklaroi zyrtarja amerikane.
Ajo tha se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë proces, teksa agjencia që ajo udhëheq, USAID, po ashtu do të vazhdojë të investojë në Kosovë.
Power ka qëndruar në Kosovë për dy ditë dhe është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin po ashtu ka biseduar për dialogun me Serbinë. Ajo tha se po e lë Kosovën me optimizëm të madh për të ardhmen e saj.
“Unë po e lë Kosovën me një optimizëm të madh për të ardhmen e saj. Ky vend i ri, njëri ndër vendet më të reja në botë, ka hedhur hapa gjigand gjatë kësaj kohe, gjatë këtyre 24 viteve”, deklaroi Power.