“Pozhegu Brothers” reagon, por s’i mohon dëmet në objektin “Lugina e Perëndimit”
Kompania “Pozhegu Brothers Sh. P. K.”, nëpërmjet një shkrimi dërguar në postën elektronike të gazetës “Epoka e re” sot, ka bërë një reagim ndaj artikullit “Banorëve të ‘Pozhegut Brothers’, garazhet, depot, banesat iu mbushen me ujë”, publikuar një ditë më parë, me datë 12 shtator 2024, në rubrikën “Komuna”.
“Pozhegu Brothers Sh. P. K” në reagim nuk i demanton dëmet në objektin “Lugina e Perëndimit” të ndërtuar prej saj në lagjen “Emshir”, për të cilat dëme në gazetë kanë raportuar dhjetëra banorë të banesave, garazheve dhe depove, por jep sugjerime se paraprakisht gazeta do të duhej të merrte një përgjigje prej kompanisë për dëmet në këtë objekt.
Kompania “Pozhegu Brothers Sh. P. K” në reagim ka përmendur se “problemet me ujërat që janë raportuar në artikull janë rezultat i dëmtimeve që janë bërë nga vetë banorët dhe nuk kanë të bëjnë me ndonjë defekt struktural të ndërtimit ose me keqmenaxhimin nga ana e ‘Pozhegu Brothers’”, por disa prej pronarëve të banesave, të cilët i kanë dërguar shkrime, dhjetëra foto dhe dhjetëra video gazetës, kanë thënë se “vazhdimisht kemi bërë ankesa te kompania për cilësinë e dobët të ndërtimit”. “Sa herë që bie shi, uji na depërton në banesa, muret e të cilave janë çarë. Gjendje shumë të keqe dhe mure të çara kemi edhe në garazhe. Shumë depo tonat, të cilat i kemi në katin -1 dhe -2, në të cilat mbajmë ushqime, i ka marrë uji. Në disa vende, po në garazhe, muret janë çarë. Kompania ato çarje (plasaritje) i ka mbuluar me llamarinë. Meqë kompania kërkesat e banorëve nuk po i merr seriozisht, mund të vini ta vizitoni vetë objektin. Do të shihni se uji po rrjedh edhe te poçet elektrike. Këtë herë po jua dërgojmë vetëm disa fotografi dhe video”, ka thënë një banor i objektit “Lugina e Perëndimit” ndërtuar nga kompania “Pozhegu Brothers”.
Gjithashtu, gazeta “Epoka e re” në fund të artikullit ka paralajmëruar: “Gjatë ditës së nesërme do të bëjë një vizitë te ky objekt kolektiv dhe do të bashkëbisedojë me pronarët e banesave dhe, gjithashtu, do të përpiqet të kontaktojë edhe me kompaninë ‘Pozhegu Brothers’ për të marrë një përgjigje prej pronarëve të saj”.
E përgjigjja nga “Pozhegu Brothers Sh. P. K”, pa pritur pyetjet nga redaksia e gazetës “Epoka e re” për ankesat e banorëve në objektin “Lugina e Perëndimit”, erdhi nëpërmjet një reagimi, në të cilin nuk i mohon dëmet në objekt që i kanë raportuar banorët, për të cilat dëme përgjegjës i bënë banorët: “Problemet me ujërat që janë raportuar në artikull janë rezultat i dëmtimeve që janë bërë nga vetë banorët”.
Gazetës “Epoka e re” edhe gjatë ditës së sotme, pas publikimit të artikullit, i kanë ardhur në postën elektronike dhjetëra fotografi dhe video në të cilat paraqiten dëmet në objektin “Lugina e Perëndimit” ndërtuar nga kompania “Pozhegu Brothers”. Gjithashtu, gazeta ka siguruar edhe emaile që Këshilli Banesor i objektit “Lugina e Perëndimit” vite më parë e ka informuar kompaninë “Pozhegu Brothers” për dëme të ndryshme në objekt, edhe për plasaritje të mureve, po ashtu edhe disa mesazhe të tjera nga Këshilli Banesor në “Viber”, në të cilat banorët shprehin shqetësimin për dëmet e mëdha në objekt dhe kërkojnë që në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me kompaninë, të bëjnë përpjekje t’i zgjidhin problemet në objektin kolektiv. Ata, ndër të tjera, thonë se, përpos mediet elektronike, duhet t’i thërrasin për raportim të dëmeve edhe televizionet.
Në asnjë rast gazetari ynë nuk ka shprehur askund përvojat personale me kompaninë, as nuk ka shtrembëruar asnjë të dhënë. Ai ka raportuar vetëm gjendjen faktike në objekt, ka përcjellë shqetësimet e banorëve me fjalë, duke ia bashkëngjitur artikullit fotografitë që banorët i kanë raportuar nga banesat, garazhet dhe depot e tyre të dëmtuara. Prandaj, meqë ata banorë edhe më tutje shprehin shqetësim të madh për pronat e veta që po u dëmtohen çdo ditë, lusim kompaninë të bashkëbisedojë me ta dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët sa më parë, pasi që ai objekt, siç ka shënuar kompania, ka certifikatë të përdorimit nga viti 2021, e që për një kohë të shkurtër banorët kanë theksuar qindra probleme serioze.
Gazeta “Epoka e re” është derë e hapur për të gjithë qytetarët. Ajo në çdo kohë do t’i përcjellë dhe t’i publikojë shqetësimet e qytetarëve që sjellin dëshmi. /Epoka e re /
Më poshtë reagimi nga “Pozhegu Brothers Sh. P. K.” për artikullin “Banorëve të ‘Pozhegut Brothers’, garazhet, depot, banesat iu mbushen me ujë”
“I nderuar,
Ju shkruaj në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar të Pozhegu Brothers Sh.P.K, në lidhje me artikullin e publikuar në datën 12 shtator 2024, me titull “Banorëve të ‘Pozhegu Brothers’, garazhet, depot, banesat iu mbushen me ujë”.
Me ane të kësaj shkrese, ju informojmë lidhur me demantin/reagimin tonë ndaj artikullit të lartëshënuar, duke kërkuar që ky demant të publikohet në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën hapësirë si artikulli origjinal.
Në artikullin në fjalë, janë paraqitur disa informacione të pasakta dhe të pamiratuara që ndikon negativisht në reputacionin tonë dhe që janë të papërgjegjshme ndaj të vërtetës. Këtu janë disa nga arsyet përse kërkojmë publikimin e këtij demanti:
- Sipas ligjeve dhe etikës gazetareske, konkretisht konform Nenit 6 të Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës (KKPM-2016/03), është e domosdoshme që përpara publikimit të një lajmi të tillë, gazeta duhet të dëgjojë dhe të marrë versionin e palës që përmendet në artikull. Ky parim është neglizhuar në këtë rast, dhe ne kërkojmë që kjo të korrigjohet për të siguruar një raportim të drejtë dhe të ekuilibruar.
- Artikulli bën referencë për probleme me ujërat në garazhe dhe depo të ndërtesës së “Pozhegu Brothers”. Është e rëndësishme të theksojmë se certifikata e përdorimit për këtë ndërtesë është lëshuar në vitin 2021. Pra, nga ky vit, ndërtimi ka kaluar procedurat e pranimit teknik dhe është i pajisur me të gjitha lejet e nevojshme. Për këtë bashkëngjesim certifikatën e përdorimit si provë.
- Problemet me ujërat që janë raportuar në artikull janë rezultat i dëmtimeve që janë bërë nga vetë banorët dhe nuk kanë të bëjnë me ndonjë defekt struktural të ndërtimit ose me keqmenaxhimin nga ana e Pozhegu Brothers. Një gjë e tillë është vërtetuar kur Pozhegu Brothers ka dalë në inspektim dhe ka konstatuar se gypat e ujit janë të prekur fizikisht – gjë që nuk bie në përgjegjësinë e Pozhegu Brothers.
- Lidhur me këtë pretendim në artikull se “Banorët kanë bërë me dije se që prej se kanë hyrë në objekt, para shtatë vjetësh, vazhdimisht i kanë dërguar ankesa kompanisë për cilësinë e ndërtimit, por kompania nuk ka intervenuar për përmirësimin e të metave në objekt”, theksojmë se Pozhegu Brothers ka marrë parasysh çdo ankesë të bërë nga banorët dhe ka ndërmarrë veprime në përputhje me kërkesat e tyre. Pozhegu Brothers ka vepruar dhe do të vazhdojë të veproje në përputhje me kërkesat e tyre dhe në këtë rast ka propozuar që me bashkëfinancim me banorët të zgjidhin problemin aktual.
- Pozhegu Brothers ka kuptuar se përpiluesi i artikullit B. Dakaj është banor i kompleksit banesor për të cilin edhe ka shkruar artikullin. Kjo krijon një mundësi të dukshme për subjektivit dhe anshmëri në raportimin e ngjarjeve, duke ndikuar në objektivitetin dhe paanshmërinë e informacionit të paraqitur. Fakti që shkruesi është banor, ndikon në mënyrën se si ai e paraqet informacionin. Ndjenjat personale dhe përvojat individuale të shkruesit mund të ndikojnë në interpretimin dhe raportimin e ngjarjeve në një mënyrë që nuk është neutrale. Ky subjektivitet mund të çojë në një përfaqësim të pasaktë të situatës dhe të krijojë një përshtypje të gabuar tek lexuesit. Në përputhje me standardet e etikës gazetareske, është e rëndësishme që artikujt që përfshijnë interesa personale të shmangin përfshirjen e këndvështrimeve të njëanshme. Duke qenë që shkruesi është një nga banorët e përfshirë në ngjarje, ekziston një mundësi e lartë që ai të ketë një këndvështrim të ndikuar nga përvojat e tij personale, që mund të ndikojë në mënyrën se si janë paraqitur informacionet dhe argumentet në artikull. Këtu mveshet me përgjegjësi edhe redaktori i gazetës i cili ka përgjegjësi për rishikimin/kontrollimin e artikullit para publikimit të tij. Ky subjektivitet dhe anshmëri mund ta dëmtojnë reputacionin e kompanisë Pozhegu Brothers dhe të japin një imazh të pavërtetë të situatës aktuale. Kjo është veçanërisht shqetësuese në rastin kur informacioni i paraqitur është i pasaktë dhe nuk është konfirmuar përmes një hetimi të pavarur.
Për këto arsye është e nevojshme që ky demant të publikohet për të korrigjuar keqinformimet dhe për të siguruar një raportim të drejtë dhe të balancuar. Kjo do të ndihmoje në ruajtjen e integritetit të informacionit dhe të drejtësisë në raportimin e ngjarjeve.
Artikulli i datës 12.09.2024 i gazetës “Epoka e re”
Banorëve të “Pozhegut Brothers”, garazhet, depot, banesat iu mbushen me ujë
12 shtator 2024| 14:05
Banorët e lagjes “Kalabria”, të cilët kanë blerë banesa nga kompania “Pozhegu Brothers” në “Luginën e Perëndimit”, kanë raportuar sot te gazeta “Epoka e re” se garazhet, depot dhe banesat po iu mbushen me ujë sa herë që po bie shi. Disa prej tyre i kanë dërguar video dhe fotografi redaksisë së gazetës, në të cilat video dhe foto shihen dëmet e mëdha në banesat, depot dhe garazhet e tyre pas reshjeve të shiut.
Banorët kanë bërë me dije se që prej se kanë hyrë në objekt, para shtatë vjetësh, vazhdimisht i kanë dërguar ankesa kompanisë për cilësinë e ndërtimit, por kompania nuk ka intervenuar për përmirësimin e të metave në objekt.
Po ashtu, ata kanë njoftuar se edhe muret në banesat dhe garazhet e tyre janë plasaritur.
Para tri ditësh disa banorë të objektit “Lugina e Perëndimit”, ndërtuar nga kompania “Pozhegu Brothers”, kanë shkuar në zyrat e saj dhe kanë kërkuar prej pronarëve të saj të intervenojnë në objekt, t’i bëjnë përmirësimet e nevojshme në kulmin e objektit dhe, gjithashtu, në banesa dhe depo.
Pas takimit, banorët kanë treguar për gazetën se pronarët e kompanisë u kanë thënë se mund të bëjnë përmirësime në objekt në rast se banorët mbledhin para dhe e paguajnë kompaninë për renovime.
Një banor në “Luginën e Perëndimit” për gazetën “Epoka e re” ka thënë: “Ky objekt nuk ka as dhjetë vjet që është ndërtuar. Edhe pse është pajisur me fletë poseduese, ne vazhdimisht kemi bërë ankesa te kompania për cilësinë e dobët të ndërtimit. Sa herë që bie shi, uji na depërton në banesa, muret e të cilave janë çarë. Gjendje shumë të keqe dhe mure të çara kemi edhe në garazhe. Shumë depo tonat, të cilat i kemi në katin -1 dhe -2, në të cilat mbajmë ushqime, i ka marrë uji. Në disa vende, po në garazhe, muret janë çarë. Kompania ato çarje (plasaritje) i ka mbuluar me llamarinë. Meqë kompania kërkesat e banorëve nuk po i merr seriozisht, mund të vini ta vizitoni vetë objektin. Do të shihni se uji po rrjedh edhe te poçet elektrike. Këtë herë po jua dërgojmë vetëm disa fotografi dhe video”, ka thënë një banor i objektit “Lugina e Perëndimit” ndërtuar nga kompania “Pozhegu Brothers”.
Gazeta “Epoka e re” gjatë ditës së nesërme do të bëjë një vizitë te ky objekt kolektiv dhe do të bashkëbisedojë me pronarët e banesave dhe, gjithashtu, do të përpiqet të kontaktojë edhe me kompaninë “Pozhegu Brothers” për të marrë një përgjigje prej pronarëve të saj. /B. Dakaj/
Reagimi i plotë: