Pozicioni i Limajt: Nesër sigurisht mund të ketë zhvillime

14 prill 2025 | 14:57

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se “nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot” lidhur me qeverinë e re, por ka theksuar se është i gatshëm të ulet e të bisedojë me “këdo që ofrohet”.

Pas regjistrimit në Kuvend, ai ka thënë se bashkë me dy deputetet e Nismës së kthyer në Kuvend do të tregojnë “shkallë të lartë të pjekurisë politike”.

“I siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, natyrisht edhe votuesit tanë, aktivistët tanë, që ne do të punojmë fort në shërbim të vendit”, ka thënë Limaj.

Nisma, ka thënë ai, do të jetë “si gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar për interesa nacionale në shërbim të Kosovës”.

“Ne dimë të dallojmë dëshirat, ambiciet personale me aktivitetin politik, me marrëveshjet, me takimet, me nevojat e përbashkëta, me gjetjen e gjuhës së përbashkët”, ka thënë ai.

Limaj ka thënë se do ta luajnë rolin e tyre në krijimin e institucioneve.

“Ne do ta luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve për aq sa neve na takon e kërkohet nga ne dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese. Kështu që, pak a shumë, këtu jemi”, ka thënë ai.

Kryetari i Nismës, ka thënë se kjo parti do të angazhohet që “Kosova të mos shkojë krizë parlamentare”.

“Por ajo që mund të themi deri më tani ne nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik. Çka do të ndodhë do të shohim nga nesër e tutje. Nga nesër fillon ky procesi…”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjakova është shpallur kampion i Ligës së Dytë në konkurrencën…