Pozita po përdorë dy standarde për dialogun
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kuteshi, i ka kritikuar subjektet e koalicionit qeverisës për qasjen e tyre ndaj dialogut Kosovë – Serbi. Ai ka deklaruar se këto parti ndryshe po deklarohen rreth këtij procesi e ndryshe po veprojnë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kurteshi ka vlerësuar se pozita, nëse është kundër korrigjimit të kufirit, duhet ta votojë projektrezolutën e opozitës. “Kjo po ndodh sepse disa prej subjekteve politike të koalicionit qeverisës që janë pajtuar të mos diskutohet asgjë rreth territorit të Kosovës, në të njëjtën kohë nuk po duan ta kundërshtojnë në praktikë idenë e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit. Mendoj se subjektet politike të koalicionit qeverisës nuk duhet të luajnë me dy standarde me këtë çështje. Ata duhet të jenë kundër këmbimit të territoreve dhe ta votojnë rezolutën e cila e pamundëson këtë dialog”, ka thënë Kurteshi. Ai ka arsyetuar mungesën e disa deputetëve të opozitës në ditën që është votuar për projektrezolutën, duke thënë se pa përkrahjen e partive të koalicionit qeverisës ajo projektrezolutë nuk mund të kalojë.
Deputeti i Vetëvendosjes e ka kritikuar presidentin e vendit për vazhdimin e fazës finale të dialogut me Serbinë pa pajtim të Kuvendit të Kosovës. Sipas Kurteshit, këto bisedime janë ilegale dhe si të tilla duhet të ndërpriten.
“Mendoj se takimet e tillë janë ilegale dhe ato nuk kanë autorizim të Kuvendit. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka platformë për këtë çështje, nuk ka pajtueshmëri të spektrit politik për këtë dialog dhe si të tilla këto bisedime nuk duhet të ndodhin. Të gjithë po deklarohen se janë kundër dialogut për terrorin e shtetit të Kosovës, kështu që këto bisedime duhet të trajtohen ashtu siç janë, pra ilegale. Ato janë vetëm bisedime të Hashim Thaçit me Serbinë”, është shprehur deputeti Kurteshi. Ai ka bërë me dije se zgjidhja më e mirë për vendin do të ishin zgjedhjet e reja por, sipas tij, opozita ende nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar Qeverinë përmes mocionit të mosbesimit.
“Mendoj se kjo do të arrihet duke i bindur deputetët e pozitës që kjo Qeveri nuk është e zonja t’i kryejë punët e veta si duhet dhe, si e tillë, po i shkakton dëme vendit. Nga kjo kuptojmë se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje ngaqë përmes tyre do të formohej një qeveri e shumicës”, është shprehur Kurteshi.
“Epoka e re”: Z. Kurteshi, projektrezoluta e opozitës për dialogun me Serbinë sërish nuk gjeti përkrahje në Kuvendin e Kosovës. Pse?
Kurteshi: Sepse disa prej subjekteve politike të koalicionit qeverisës që janë pajtuar që të mos diskutohet asgjë rreth territorit të Kosovës, në të njëjtën kohë nuk po duan ta kundërshtojnë në praktikë idenë e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit. Mendoj se subjektet politike të koalicionit qeverisës nuk duhet të luajnë me dy standarde me këtë çështje. Ata duhet të jenë kundër këmbimit të territoreve dhe ta votojnë rezolutën e cila e pamundëson këtë dialog. Në të kundërtën i bie se ata po e mundësojnë një dialog të tillë i cili është tepër i dëmshëm për Kosovën.
“Epoka e re”: fajtorë po i bëni deputetët e pozitës, por ditën që është votuar në Kuvend ka pasur disa deputetë të LDK-së dhe të LV-së që nuk kanë marrë pjesë në votim.
Kurteshi: Fajtore janë partitë në pushtet të cilat po deklarohen çdo ditë kundër këmbimit të territoreve, por atë nuk po e materializojnë përmes votës së tyre që është e domosdoshme që ta ndalë çdo kënd që pretendon të bisedojë për këtë çështje në dialogun me Serbinë. Mospjesëmarrja e disa deputetëve të opozitës në atë seancë është një çështje tjetër. Mungesa e tyre nuk do të thotë se ata nuk e përkrahin këtë rezolutë. Mendoj se mungesat e tyre kanë qenë të arsyeshme. E rëndësishme është se ata e përkrahin këtë rezolutë, por edhe sikur të ishin ata të pranishëm nuk mjaftojnë vetëm votat e pozitës për këtë çështje. Për të kaluar kjo rezolutë duhet të votojë patjetër edhe dikush nga pozita.
“Epoka e re”: Në bazë të rrethanave të krijuara, ekziston ende vullneti te pozita dhe opozita që të arrihet një konsensus kombëtar rreth kësaj çështje?
Kurteshi: Opozita e ka nënshkruar çështjen e rezolutës dhe nuk vihet në dyshim vullneti i këtyre subjekteve që janë kundër bisedimeve për territor, kurse pozita po deklarohet njësoj sikurse pozita, por nuk po vepron ashtu siç po deklaron.
“Epoka e re”: Tashmë është konfirmuar takimi i radhës në mes të presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i cili pritet të ndodhë këtë të enjte, ndërsa Kuvendi ende nuk ka hartuar asnjë platformë për këto bisedime?
Kurteshi: Mendoj se takimet e tillë janë ilegale dhe ato nuk kanë autorizim të Kuvendit. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka platformë për këtë çështje, nuk ka pajtueshmëri të spektrit politik për këtë dialog dhe, si të tilla, këto bisedime nuk duhet të ndodhin. Të gjithë po deklarohen se janë kundër dialogut për terrorin e shtetit të Kosovës, kështu që këto bisedime duhet të trajtohen ashtu siç janë, pra ilegale. Ato janë vetëm bisedime të Hashim Thaçit me Serbinë, por jo të spektrit politik shqiptar të Kosovës. Asnjë parti shqiptare nuk është deklaruar se është për këmbim të territoreve.
“Epoka e re”: Nëse nuk mund të arrihet një konsensus kombëtar për këtë çështje, si duhet të veprohet për të ecur përpara?
Kurteshi: Duhet të bëjmë përpjekje që kjo rezolutë të vijë sa më shpejt në Kuvend dhe t’u bëjmë apel deputetëve të pozitës për ta votuar atë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë duhet të mendojmë për hapat e ardhshëm të cilët janë në funksion të pengimit të dialogut me Serbinë për territore.
“Epoka e re”: Zgjedhjet e reja do të mund ta ndalin këtë proces?
Kurteshi: Mendoj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Neve na mungojnë tri-katër vota për ta realizuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, në mënyrë që vendin ta çojmë në zgjedhje të reja. Qeveria aktuale nuk është qeveri e shumicës dhe nuk i ka votat e mjaftueshme për ta qeverisur vendin. Kjo qeveri çdoherë po varet nga opozita, në të njëjtën kohë nuk është e gatshme të bashkëpunojë për çështje shumë të rëndësishme me opozitën siç është tema për të cilën biseduam më lart.
“Epoka e re”: Si do ta siguroni mbështetjen e nevojshme në Kuvend për ta rrëzuar Qeverinë?
Kurteshi: Mendoj se kjo do të arrihet duke i bindur deputetët e pozitës që kjo Qeveri nuk është e zonja t’i kryejë punët e veta si duhet dhe, si e tillë, po i shkakton dëme vendit. Nga kjo kuptojmë se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje ngaqë përmes tyre do të formohej një qeveri e shumicës.
“Epoka e re”: Deri më tani jua ka dhënë ndokush prej deputetëve të pozitës ndonjë sinjal se mund t’ju përkrahë në këtë drejtim?
Kurteshi: Nuk mund të them se ka dhënë dikush prej tyre sinjale se do të mund ta mbështesë mocionin e opozitës. Së paku unë nuk kam biseduar me asnjë deputet të pozitës për këtë çështje.
Muhamet KOCI