Pozitave me ushtrues detyre u skadon mandati, s’ka kush t’i ekzekutojë as pagat e shtatorit?
Praktika e Qeverisë Kurti për të udhëhequr administratën publike me ushtrues detyre ka bërë që prej dje funksionimi i administratës të futet në një bllokadë të çuditshme.
Kjo pasi, sipas Ligjit për zyrtarët publikë nga dita e djeshme u ka skaduar mandati të gjitha pozitave të larta në administratë që janë udhëhequr me ushtrues detyre, shkruan “Nacionale”.
Në këtë mënyrë, rrezikohet edhe ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale për muajin shtator. Kjo pasi mandati i ka skaduar edhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Thesarit.
Pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë ekzekutim i buxhetit.
Nuk dihet nëse qeveria ka qenë e vetëdijshme se praktika e tyre e deritashme do të mund ta fuste administratën publike dhe Thesarin në një bllokadë të tillë.
Neni 35 i Ligji për Zyrtarët Publik tregon se askush nuk mund të caktohet ushtrues detyre më shumë se një vit.
“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”, thuhet në paragrafin 3 të këtij ligji.
Më tutje, në paragrafin vijuese të këtij neni tregohet se duhet të respektohet paragrafi 3.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni”, është thënë në paragrafin 4 të nenit 25.
Kurse, në paragrafin 5 thuhet se çdo vendim i ushtruesit të detyrës pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 është i paligjshëm.
“5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm.”, thuhet në paragrafin 5.
Institucionet tani janë në pritje të një opinionin të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për funksionimin e administrues shtetërore.
Burimet e gazetës “Nacionale” brenda kësaj ministrie kanë bërë me dije se për shkak të paqartësive ligjore për situatën ekzistuese, MPB-ja po refuzon të jep një opinion në lidhje me interpretimin e nenit 35 të Ligjit për zyrtarët publikë, i cili do të mund ta zhbllokonte situatën aktuale.
“Nacionale” ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit për të kuptuar se çka do të ndodhë me ekzekutimin e pagave të shtatorit për rreth 80 mijë zyrtarë publikë.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, qeveria nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
Qeveria Kurti vazhdimisht është kritikuar prej opozitës dhe shoqërisë civile për praktiken e funksionimit të administrues shtetërore me ushtrues detyre.
Në qeverinë Kurti shumica e ministrive në pozitat e sekretarëve të përhershëm kanë pasur ushtrues detyre. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kuvendin, Zyrën e Kryeministrit dhe shumë agjenci të pavarura.
Ligjit për zyrtarët publikë ka hyrë në fuqi më 25 shtator të vitit të kaluar.