Pozitë dhe opozitë janë të mendimit se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare
Fundi i vitit 2024 ose fillimi i vitit 2025 do të jetë vit i zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë.
Albin Kurti ka marrë mandatin qeverisës më 22 mars të vitit 2021. Pra, Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 22 mars 2021 dhe mandati fillon nga dita e konstituimit, që do të thotë mandati i kësaj legjislature përfundon më 22 mars 2025.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, zgjedhjet e rregullta parlamentare nuk mbahen më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit. Duke iu referuar këtij ligji, sipas kompetencave të presidentit të përcaktuara me Kushtetutë, shefi i shtetit cakton datën e zgjedhjeve jo më herët se gjashtë muaj dhe jo më vonë se katër muaj para datës së zgjedhjeve, shkruan “Epoka e re”.
Njohësi i proceseve politike në vend, Burim Ramadani, ka theksuar se zgjedhjet parlamentare para 26 janarit 2025 janë vetëm zgjedhje të parakohshme.
Ai ka thënë se shpallja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare mund të bëhet midis 6 deri në 4 muaj para datës së zgjedhjeve. “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin më 26 janar 2025, atëherë shpallja zyrtare nga presidentja mund të bëhet midis 26 korrikut dhe 26 shtatorit 2024”, ka thënë ai.
Në fillim të këtij viti janë shtuar zërat nga opozita dhe nga pushteti për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, por edhe shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, kanë shpalosur argumentet e tyre pse zgjedhjet mund të mbahen gjatë këtij viti. “Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Konjufca për mediet në Kosovë.
Ai ka thënë se për shkak të shumë zhvillimeve do të ishte mirë që qeveria e re që do të marrë legjitimitetin e popullit të përfundojë disa procese që po kalon Kosova.
Derisa shefja e deputetëve të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se viti 2024 është vit i dinamikave të shumta në botë dhe, si të tillë, ajo e sheh që mund të ketë ndikim edhe në Kosovë.
Ajo thotë se nuk do të ishte diçka e paarsyeshme nëse zgjedhjet e rregullta mbahen në fund të këtij viti.
“Sipas kalendarit zgjedhor, ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025. Por, para dhe pas në periudhën 60 ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit. Pra, nuk do të ishte krejtësisht e jashtëzakonshme”, ka deklaruar ajo.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është i bindur se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor në Kosovë.
Ai thotë se bota nuk mund ta presë Albin Kurtin në lidhje me taktizimet që ky i fundit i bën me procesin e dialogut.
“Po shihet tashmë edhe nga deklarimet dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit Kurti, nga tubimet e karakterit elektoral, por edhe nga forma aspak korrekte dhe e drejtë e shpenzimit të buxhetit të shtetit në raport me subvencionimet e ndryshme që i kanë bërë dhe që i kanë planifikuar. Besoj se në vitin 2024 gjithsesi do të kemi zgjedhje të parakohshme, por nuk mund të them me siguri se a do të mbahen ato në qershor, në tetor më herët apo më vonë”, ka deklaruar Krasniqi.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se LDK-ja ka çdo kapacitet njerëzor, politik dhe ekspertizë të nevojshme, duke përfshirë një program politik të operacionalizuar dhe buxhetuar.
“Zgjedhjet e parakohshme të cilat i shkurtojnë mandatin z. Kurti vetëm për katër muaj nuk mund të quhen zgjedhje të parakohshme. Të parakohshme mund të quhen vetëm ato zgjedhje të cilat mbahen deri në qershor. Por, edhe nëse dëshirojnë t’i mbajnë në muajin gusht, zgjedhjet janë të mirëseardhura. Në atë muaj mërgimtarët janë këtu, dhe mund ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre pa pasur nevojë të shpenzohen dy herë”, është shprehur Haziri.
Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se viti 2024 është vit zgjedhor për shkak se edhe për zgjedhjet e rregullta ato duhet të shpallen më herët se gjashtë muaj, më së voni katër muaj para zgjedhjeve.
“Kjo nënkupton që partitë politike do të punojnë për përpilimin e listave të zgjedhjeve. Problem nuk është përcaktimi i zgjedhjeve të parakohshme apo të rregullta. Problem është që kjo qeveri është duke i shkaktuar dëme të mëdha Kosovës dhe është duke e dëmtuar. Në veçanti, në varfërimin dhe në ekonominë e Kosovës, e cila është në rrafshin më të ulët në historinë e vet. Andaj, sa më shpejt që shkon kjo qeveri, aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe për qytetarët e saj”, ka thënë Tahiri.