Pozitë dhe opozitë kërkojnë mesazhe të qarta nga Scholz gjatë vizitës në Kosovë
Vizitën e paralajmëruar në fillim të muajit qershor e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë dhe rajon, janë duke e mirëpritur spektri politik dhe shoqëria civile.
Pozitë dhe opozitë kanë kërkuar nga kancelari Scholz mesazh të qartë për liberalizimin e vizave, mbështetje ndaj Procesit të Berlinit dhe intensifikim të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë për “Kosovapress”, se kancelari gjerman duhet të thotë “majftë është mjaft” dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në fund të qershorit.
Përkrahjen nga lideri evropian, Rexhaj e ka kërkuar edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe dialogun me Serbinë.
“Kancelari gjerman shpresoj ta thotë të njëjtën frazë për arsye se Kosova që moti i ka përmbushur kushtet që janë kërkuar për liberalizimin e vizave dhe kjo çështje është prolonguar. Jemi në faza të fundit kur vendet e Bashkimit Evropian duhet t’i thonë po hyrjes në këtë fazë…Shto këtu ne që kemi aplikuar për në Këshillin e Evropës dhe siç po shihet përmes lobimeve dhe deklaratave të presidentëve dhe kryeministrave të Evropës-së kemi mbështetje për anëtarësim në këtë organizatë. Ne jemi për një marrëveshje, për një njohje në qendër siç e ka potencuar edhe kryeministri Kurti, mirëpo nuk jemi për të defunskionalizuar shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Vizitën e Scholz në Kosovë është duke e parë të dobishme edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Ajo ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të shfrytëzojnë momentumin e përkrahjes ndërkombëtare për të shtyrë përpara temat si liberalizimi i vizave dhe dialogu.
“Janë të mirëpritura, ne i gëzohemi faktit se liderët botëror, në këtë rast, kancelari i Gjermanisë ka shprehur dëshirën të vizitojë Kosovën. Ne i kemi aleat dhe miqtë dhe normal se i mirëpresin, njëkohësisht edhe këshillat e tyre. Është një disponim i mirë për çështjen e liberalizimit të vizave, përveç disa vendeve që kanë hezitime për çështjen e liberalizimit të vizave, disa janë në procese zgjedhore…Në çështjen e dialogut të përfshihen edhe vendet tona, siç janë një emisar nga ShBA, që e kemi aleatin më të madh dhe kryesor. Fatmirësisht ne kemi një emisar, të njëjtin e kemi edhe nga Gjermania dhe Britania e Madhe. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë momemtun dhe prej dialogut teknik të kalohet në dialog teknik”, ka thënë ajo.
Ndërsa drejtori i institutit Epik, Demush Shaha, ka paraqitur tri mesazhet kryesore që mund t’i adresojë kancelari gjerman gjatë vizitës në Kosovë.
“Kancelari Scholz dëshiron të nënvizojë se ky rajon është i një rëndësie të veçantë për të personalisht si kancelar. I dyti mesazh është sa i përket rëndësisë së stabilitetit të rajonit dhe vijimësisë së rrugës së tij drejt BE-së. Ky mesazh në veçanti do të sforcohet në kuptimin e zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë, në këtë sfond kancelari do të nënvizojë rëndësinë e avancimit të Procesit të Berlinit dhe qëllimit të tij që në pjesën e dytë të këtij viti të mbajë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Ky do të jetë mesazhi i tij i dytë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe mjeti kyç do të jetë Procesi i Berlinit. Mesazhi i tretë do të jetë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi si një nga elementet më të rëndësishme të stabilitetit rajonal. Këtu kancelari gjerman do të përsërit atë që e ka thënë në Berlin që sa më shpejtë është me rëndësi që të avancohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ai.
Nga zyra e kancelarit Scholz për “Kosovapress” nuk kanë konfirmuar deklarativisht vizitën në Kosovë, mirëpo kanë ripërsëritur një deklaratë të liderit evropian se para mbledhjes së radhës të Këshillit të BE-së do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Albin Kurti, javë më parë pati një vizitë zyrtare në Gjermani, ku është pritur në takim nga kancelari Scholz.