Prag katastrofe bërthamore në Ukrainë, dy raketa ruse fluturojnë shumë pranë termocentralit atomik
Një katastrofë bërthamore mund të kishte ndodhur në Ukrainë, pasi dy raketa ruse fluturuan shumë pranë një termocentrali në jug të vendit.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave EnergoAtom tha se zbuloi dy raketa lundrimi në afërsi të termocentralit bërthamor të Ukrainës Jugore, që ndodhet afër qytetit të Yuzhnoukrainsk, rreth orës 8:30 të mëngjesit të djeshëm.
Kompania i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të marrë “të gjitha masat e mundshme për të ndaluar terrorizmin bërthamor rus”.
Një deklaratë në faqen e saj të internetit tha: “Objektet ajrore po lëviznin përgjatë lumit South Bug në drejtim të qytetit të Pervomaisk, rajoni i Mykolaiv dhe fluturuan në mënyrë të rrezikshme pranë objektit bërthamor.
“Kërcënimi për të goditur reaktorin me pasoja të mundshme për një katastrofë bërthamore ishte shumë i lartë”, tha më tej ai.
Kujtojmë se kërcënimi rus për reaktorët bërthamorë në ukrainë ka qenë i shpeshtë, ku kujtojmë se në Zaporizhzhia u regjistruan disa incidente më herët, të cilat mund të çonin në katastrofa bërthamore.