Pragmatisti radikal
Zgjim Hyseni
Jam krejt i painteresuar në temën: “Ramush Haradinaj dhe presidenca”; nuk më bëhet vonë as nëse do të arrijnë PDK apo LDK ta zgjedhin presidentin nga radhët apo propozimet e tyre; nuk më intereson fare nëse do të zgjidhet para apo pas zgjedhjeve.
“Pramgatist radikal”, ky është përkufizimi që i shkon Ramush Haradinajt. Pragmatistit zakonisht nuk i shkon cilësimi si radikal. Pragmatisti radikal është ai që ndërron qëndrime shpejt, duke i përshtatur me interesat e momentit. Dhe jo çfarëdo qëndrimesh, po flasim për tema që kapin rrëfime të mëdha si lufta, historia, territori e sovraniteti. Sepse ndryshimet e qëndrimeve marrin kohë, përgatiten arsyetime, thuret një diskursi mbi gjoja strategjinë, taktikën, apo edhe qëllimin e fundit që na qenka fisnik. Vetëm dikush që e ka bagazhin e luftës mund ta bëjë këtë sa çel e mbyll sytë. Por, për Ramush nuk ekziston Tjetri i Madh. Pse? Cila qenka ajo instance etike apo politike? Kujt duhet t’i arsyetohem? – pyet Ramushi.
Një ditë pas arrestimit, shkon në PDK për ngushëllim, kur e kupton që s’ka vota për president i kthehet muhabetit të Prontos; nuk lë gjë pa bërë kundër demarkacionit, dhe bëhet kryeministër për ta votuar të njejtin.
Pavarësisht kësaj, koha është ta shohim Ramushin si qëndrim karshi Gjykatës Speciale. Kam parë me kujdes dy emisionet e tij të fundit, Pressing dhe Debat Plus. Ramush Haradinaj pak a shumë po thotë se siç e kam vuajtur unë Hagën, provojeni edhe ju të tjerët pak, bëjuni burra. Ka aq shumë dallime midis Tribunalit të OKB-së për krimet në Ish Jugosllavi dhe monstrumit të paprecedent që e kemi krijuar ne këtu, por ato s’do t’i përmendim tash. Ai është në të njëjtin pozicion që ka VV sot. Pra, Gjykatën e votuat, tash ajo është çështje e kryer. Ka qenë koha për këtë punë, tash vuani pasojat. Sigurisht, votimi i Gjykatës ishte gabim, dhe ky gabim bie tek votuesit. Por, kjo Gjykatë ka pësuar trajektore të paparë: filloi nga propaganda për trafikim organesh, dhe përfundoi duke hedhur UÇK-në para gjyqit. Haradinaj na tregon sa keq është që kemi krijuar një sistem paralel gjyqësor deri në Gjykatë Kushtetuese, dhe sakaq vjen e na thotë se ne s’mund ta kundërshtojmë atë sepse kështu dalim kundër drejtësisë. Tani, prodhon apo jo drejtësi Specialja?! Të gjithë, parti e qeveri qe e ndihmuan ose i mbyllen sytë do të mbesin të turpëruar. Gjykata që e kemi krijuar nuk ka precedent: thuhet se është vendore, por realisht Kosova s’ka gjë në dorë; nuk dihet tamam as si do të gjykojnë gjykatësit e Speciales.
Kosova nuk është shtet i kryer sot dhe kjo na e mbyll derën në Strasburg. Por, të vërtetës i hapet dera, herët a vonë. Ajo do t’i turpërojë të gjithë, pa përjashtim.