Pranë ish-bilbilit të Kosovës duke kujtuar të atin e saj Vesel Pagarushën
Bedri Zyberaj
Dje publikova një shkrim me këtë përmbajtje: “Në Pagarushë, në vendlindjen e atdhetarit iluminist Vesel Pagarusha dhe bijës së tij e bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha”. Mbase pakkush mund ta dijë, prandaj po jap një informacion plotësues për Vesel Pagarushën, babanë e Nexhmijes.
Vesel Pagarusha ishte njeriu i cili gjatë viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar nga Shqipëria i ka sjellë ekzemplarët e parë të abetares së parë të gjuhës shqipe në rrethinën e Prizrenit dhe të Rahavecit dhe i ka shpërndarë ilegalisht te familje të ndryshme të këtyre trevave për mësim të gjuhës shqipe. Ishte ajo koha e monarkisë serbo, kroate, sllovene, respektivisht jugosllave, kur shqiptarët e Kosovës së sotme dhe të viseve të tjera shqiptare në kuadër të asaj mbretërie nuk e kishin të drejtën e shkollimit në gjuhën shqipe.
Duke qenë njeri me vizion dhe reformator, ai (Vesel Pagarusha), së bashku me Muharem Mahmutin (disa e kanë quajtur Muharem Zatriqi) nga Zatriqi i Rahavecit, me të cilin kishte një shoqëri të pandarë, janë të parët që kanë bërë reforma, duke bartur veshjen allafrënga (evropiane) ashtu siç vishemi sot. Këta të dy janë të parët në regjionin nga Prizreni deri në Pejë që nuk kanë bartur as plis as fes në kokë. Kështu i kanë hapur rrugë depërtimit të kulturës evropiane te ne, e cila deri në këtë kohë ishte e përzënë nga këto treva prej asaj që është quajtur kulturë dhe veshje allaturke.
Prandaj nuk ka qenë diçka e rastit që e bija e tij, Nexhmija, të ishte ajo që ishte.