Prania e disa njerëzve të LV-së në borde nuk është lajm i keq
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, akuzat e bëra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për vendosjen e anëtarëve e aktivistëve të saj nëpër bordet e ndërmarrjeve publike, i ka komentuar, por i ka quajtur akuza të pavenda, kurse emërimet e tyre në ato pozita i ka quajtur të nevojshme.
Konjufca ka thënë se partia e tij po i pastron bordet nga njerëzit e korruptuar ashtu siç kishte premtuar. “Prania e disa njerëzve të LV-së aty [në borde] nuk është lajm i keq”, ka thënë ai në KTV.
Sipas tij, vendosja e anëtarëve të LV-së në borde “është parë diçka e nevojshme për këtë periudhë transitore”.
Konjufca ka thënë se Vetëvendosja mund të kritikohet vetëm nëse bordet nuk pastrohen nga njerëzit e korruptuar dhe nëse nuk hapen konkurse për t’i mbushur pozitat pas fazës transitore.
(B. D.: ‘Epoka e re’)