Prania e gjarpërit më helmues në Parkun e Gërmisë, AMMK-ja del me njoftim

13 maj 2022 | 10:43

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se ka pranuar disa shqetësime nga disa vizitorë dhe nga mediat të cilët kanë informuar për praninë e llojit të gjarprit Vipera Ammodytes në Parkun e Gërmisë.

“AMMK-ja ju bënë me dije që prania e gjarpërinjve në Parkun e Gërmisë nuk është shqetësim por pjesë e rëndësishme e biodiversitetit të kësaj zone. Masivi malor i Gërmisë paraqet një pasuri natyrore shumë të rëndësishme jo vetëm për Prishtinën me rrethinë por edhe tërë Kosovën. Gërmia është mjaftë e pasur me lloje bimore e shtazore si dhe vlera tjera të ruajtura të biodiversitetit”, ka njoftuar AMMK-ja, duke theksuar se deri më tani janë të njohur katër lloje të gjarpërinjve e ndër ta edhe lloji helmues Vipera ammodytes (gjarpri i gurit, nepërka).

“Gjarpërinjtë, si çdo lloj tjetër i shtazëve të egra, kanë instiktin e vetëmbrojtjes dhe në rast se ndihen të kërcënuar ata do të mbrohet. Rastet e kafshimeve nga gjarpërinjtë helmues, që fatmirësisht ndodhin shumë rrallë, janë si pasojë e shkeljeve aksidentale me këmbë ose kapjes me dore pa i kuptuar pasojat qe mund të vijnë më pas”.

“Prania e gjarpërinjve nuk duhet të paraqet asnjë shqetësim për vizitorët eventual të Parkut Gërmia, por gjithsesi se secili duhet pasur kujdes që jo vetëm gjarpërinjtë por edhe gjallesat tjera të mos shqetësohen në vendbanimin e tyre natyrorë me qëllim të mos kemi ndonjë ankesë për ndonjë sulm eventual prej tyre me qëllim të vetëmbrojtjes”, ka njoftuar Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Tahir e Nebih…