Prania e gurthyesit në fshatin Buçë vazhdon të jetë shqetësuese për banorët
Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është diskutuar çështja e operimit të gurthyesit në fshatin Buçë, ku pjesëmarrës ishin zyrtarët e Komunës së Dragashit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Komisioni për Miniera dhe Minerale, si dhe banorët e fshatit.
Banorët e fshatit Buçë kërkuan përgjegjësi nga niveli qendror dhe lokal rreth pëlqimeve dhe lejeve që i janë dhënë operatorit të gurthyesit në fshatin Buçë.
Përfaqësuesi nga MMPH ka thënë që operatori në fjalë ka lejet dhe pëlqimin për të operuar në këtë lokalitet, vendime këto të cila janë paraprirë një diskutimi me banorët e këtij lokaliteti.
Megjithatë, banorët kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth operatorit të gurëthyesit, kështu duke kërkuar nga niveli komunal të ketë inspektime të rregullave për respektim të kritereve në bazë të lejeve dhe pëlqimit që është dhënë.
Ndër rekomandimet kryesore të dala nga kjo tryezë mbetet rregullimi i orarit të punës nga gurthyesi, inspektimi i rregullt nga niveli komunal, matja e ndotjes së ambientit dhe zhurmës akustike nga MMPH-ja.
Takimet janë realizuar në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”, që mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
/Epoka e re/