PRANIA E MOSPRANISË

02 nëntor 2021 | 08:18
Adem Gashi
(Për librin e Skënder Rusit “Ti më ke dashur pakëz”, ARMAGEDONI, Prishtinë, 2021)
E kam ndjekur krijimtarinë poetike të Skënderit që nga hapat e parë të botimeve. E kam takuar dhe njohur atë edhe këtu në Korçë në një festival të Lirikës së dashurisë, në mos më pastë lënë kujtesa, këtu e rreth dy dekada më parë, Kjo ka pak rëndësi, po më shumë ka rëndësi leximi a, më saktë, rileximi që i bëra këtij libri. Herë ngutshëm e furtunshëm, herë ngeshëm e kujdesshëm. Një përzgjedhje lirikash dashurie që nuk kam pse ngurroj të them: një antologji personale, pa e lodhur mendjen në ka a s’ka formulime të këtilla teoriko-letrare.
Pashë edhe vlerësimet dhe mbresat e Agollit dhe të Zhitit. Ajo që ata të dy e quajnë muzika e vargut referuar rimës, unë do ta zhvendosja në ritmin e vargut duke ia rezervuar botëperceptimit të lexuesit, ndjeshmërisë dhe ndijës së tyre muzikën e sferave pitagoriane që ua sjell lirika e Rusit.
Në rrafshin e shqiptimit poetik a të frazës poetike këtu gjej subjektin lirik UNË si adresant dhe të adresuarën TI, kur e tek edhe në vetën e tretë AJO. Ky sistem ligjërimor që gjermanët i dhanë emërtimin ich form i vete më për shtat narratives në prozë, po Skënderi, qëllimshëm e gand, e zgjedh si formë kancone të veten. Te ky UNË unë gjej autorin e shpërvetuar (po përpiqem ta bëj shqip depersonalizimin), ose, siç e thotë diku, edhe si UNË – UNIVERS, sepse vetëm ashtu ai fiton lirinë që, pa cenuar higjienën e etikës, të prek zona sedërtare erotike. Referencë për këtë kam poezinë Tepër vonë, faqen 71, një si “dashuri e ndaluar” për vajzën e shokut, një si mëkat a fajësi e pashmangshme. Po deshët pak filozofi, diçka si determinizëm, po deshët pak psikanalizë, diçka si incestuozitet.
Harrova përse e nisa shkrimin me këtë titullin Prani e mospranisë. Ah, po. Ia vodha një tregimit tim të hershëm, sepse të këtillë e gjej në këto lirika një botë të munguar që vjen e bëhet e pranishme në trajtë efemere, kimere a shemre në labroratorin krijues të Skënderit, në mendjen, zemrën dhe shpirtin e tij. Tash e do rendi t’i futemi sistemit të tropeve dhe të figurave për t’i hapur këto “porta të qiellit” – siç thotë autori. Dhe këtu i gjejmë sidomos krahasimet, metaforat dhe metonimet, aq spontane dhe befasuese. E gjejmë autorin shpend, autorin pemë, autorin erë. Kam dëgjuar një intervistë të mençur të këngëtares së njohur, Anna Oksa. Pyetjes nëse dashuroni akoma i qe përgjigjur me pyetje habitore: Ç’është ajo fjalë!? Unë ec rrugës dhe shoh një lis, një pemë. Në çast bie në dashuri me të. Pa diskutim që një shëmbëllim të këtillë na e jep edhe Skënderi: njeri që dashuron hapësirën, kohën, planetin në të cilin jetojmë, ajrin që thithim, gjethet që bien e kalben, madje, në një variant metafizik, do të thosha edhe vdekjen. Nuk kam si të mos veçoj me këtë rast një vistër poezish sa për aktdëshmi, pa pasur kohë analize këtu, duke e ditur se është aktivitet përurimi. Të tilla i gjej poezitë: Lëndina e pikëllimit 6, Numërimi i detyruar, f. 24 Kishë e vogël, imja, 35, Zemërimi i një gruaje 37, Çast surreal 41, Një grua e çuditshme 42, Më tepër se një Evë 61, Metamorfozë 62, Brenda një jave 44, Ata dy pleq 74, Inkuizicioni absurd 97 e të tjera.
Se ç’barrë bart karroja e intuitës dhe imagjinatës së poetit, autori na e thotë në një varg përmes proverbialit: Kohë s’kam as për të vdekur.
Diku midis vargjeve të këtyre poezive gjeta edhe disa pasthirrma poetike që, përpara se shfryrje ose klithma romantike unë i lexoj si njëmendësi altruiste a flijimi të ndërgjegjshëm të poetit: Mos më duaj! Më tradhto! Nis më urre!
Tashti që hapa gjithë këto sherre si ta mbyll fjalën?
Ah, po, gëzohem dhe përgëzoj Skënder Rusin për këtë libër, në mos qofsha edhe unë si ai i poezisë së tij “Tepër vonë”!
______________________
Korçë, 30 tetor 2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-gjenerali i NATO-s, Uesley Clark, ka treguar se amerikanët ishin…