Prania e mospranisë së të ndodhurës
Adem Gashi
Për romanin e Rifat Muriqit “Shtjellat e një qyteti”
Duke lexuar romanin e Muriqit, nga dorë e parë, m’u përudhën dy pista paralelesh në planin e arkitekturës romanore. E pra krahasimin merreni vetëm në këtë plan. Unë po jua zë ngoje novelën e Mario Vargas Lloses “Kush e vrau Palomino Moleron” dhe “Nderi i humbur i Katerina Blumit” të Hainrih Belit. Këtu e kemi Zenelin, Zenel Rexhën e Rexhë Avdisë. Të provojmë t’ia ndërrojmë titullin romanit të Rifatit: Kush e vrau Zenel Rexhën? Ose Nderi i humbur i Zenel Rexhës? Kjo, sa për të bërë një eksperimentin interpretimi. Që të tria këto i përkasin tipit të romanin që njihet si roman policor: Janë romane me intrigë e mister brenda, me epilog në fillim dhe me narracion të retarduar ose retrospektiv.
Ky është romani i katërt i Muriqit dhe, pavarësisht tematikës, shënon një gradacion rritjeje në përmbajtje, strukturë, stil dhe, para së gjithash, në planin estetik. Shestimet intelektualiste të atykëtueshme të autorit – narrator nuk e zbehin aspak botën e ndjenjave të personazheve. Sa jemi këtu t’ju kujtoj një fakt: Galeria e personazheve të Rifatit jo vetëm se është e begatë në planin tipologjik e karakterologjik, por në disa vetje ai e tejkalon të rëndomtën. E marrim Zenelin. Si zor t’ia gjejmë sivëllain në letërsinë shqipe. Ai paraqitet si shurdhmemec, por në të vërtetë s’është veçse shemra e shurdhmemecit. Ndoshta më e drejtë të themi personazhi – ide, ose personazhi vetëdije e zgjuar.
Një tjetër personazh edhe më i çuditshëm na vjen e shfaqet që në faqet e para të romanit dhe është i shumëpranishëm gjithandej. Është ky Babai i Nysretit. Domethënë ne pa e parë e njohur Nysretin, pa e ditur kush është ai, na vjen Babai i tij. Dhe ky nuk ka emër pos autoritetit të tij prej prindi, babai a tutori të njëfarë Nysretit. Gjithë përfytyrimi për të na mban pezull deri nga fundi i romanit. Gjithsesi një personazh – dilemë se në ç’kategori bie? Te vjetjet e të mirëve, të të këqijve apo edhe tek asnjanësit!? Shumë vonë e marrim vesh se ky Babai përveçse si kategori etike na shfaqet edhe si rezonancë mendimi a ideje.
Derisa po flasim për këto shtjella, në fund do të kujtohemi se të gjitha këto i kemi falë Ditarit dhe Kronikës së tij, labirinte, tmerre e mistere që, ndryshe kurrë nuk do t’i merrnim vesh e nuk do t’i dinim.
Rifati nuk e zë ngoje askund ose rrallëkund kohën dhe hapësirën, por rezulton e vetëkuptueshme periudha e pasluftës në Kosovë dhe gjithandej hapësirës shqiptare që merr fill në Pejë e degdisët tutje deri në Berat. Ndoshta më e drejtë të themi Jug e Veri Shqipërie. Dhe personazhet e tij shëtitin gjithandej Evropës, nga intelektualë, punëtorë, aktorë, dragomanë e hero të bixhozit, deri tek tregtarët, shegertët, kriminelët e matrapazët me profil tradhtarësh.
Nga të gjitha shkrimet letrare që kam lexuar deri sot për luftën në Kosovë, nga autorët e Kosovës, te Rifati kam gjetur një vetëpërmbajtje të veçantë. Ky ka dëshmuar një fuqi dhe ekuilibër për disiplinimin e pasioneve, pavarësisht dramaticitetit të rrethanave deri në kulmime tragjike, siç i solli lufta, si dhunimin, vrasjet mizore, skenat me masakra, vrasjet me gjakftohtësi dhe gërryerjet e brendshme shpirtëror.
Gjithë kjo dyndallë ndjenjash, ndërkaq, vjen e shkarkohet te lexuesi me një intensitet të paparë.
Në pikëpamje të përmbajtjes ideore dhe të koncepteve për luftën dhe lirinë, për atdhetarizmin dhe qytetarinë Muriqi nuk hidhet në tirada e diskurs retorik, në referencialitet e butafori. Ai zgjedh rrëfimin e qetë, siç është i qetë edhe vetë rrëfimi i Zenelit në Ditarin e tij.
Mirë, të gjitha këto, po linja e dashurisë? Ka vepër letrare, vepër arti pa këtë ndjenjë universale?
Po jua kujtoj edhe një fakt se edhe këtu Rifati ka dëshmuar mjeshtërinë e tij, sidomos në romanin Hana vendos të shkruajë letër. Ajo nuk mungon as te Shtjellat, veçse këtu vjen me një vello përthyerjesh shpirtërore: nga hamendësimet dhe humbellat për vetëvrasje deri te rigjetja e fijeve të jetës, deri te ringjallja shpirtërore.
Fjalë rasti në përurimin e romanit “Shtjellat e një qyteti” të autorit Rifat Muriqi, organizuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës