Pranimi i golave në minutat e fundit, problem serioz i Ballkanit në Ligën e Konferencës
Ballkani të enjten është mposhtur me përmbysje nga Sivasspori në kuadër të xhiros së katërt të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Ekipi nga Suhareka ishte duke avancuar 1:0 deri në minutën 72-të, por i ka humbur të tri pikët në fund të ndeshjes.
Fillimisht Arslan ka barazuar 1:1 në minutën e 72-të, para se Angielski të shënonte golin e fitores në minutën e 81-të.
E pranimi i golave në 20 minutat e fundit në Ligën e Konferencës është shndërruar në problem serioz për kampionin e Kosovës.
Nga katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani, në tri prej tyre ka pranuar gola në 20 minutat e fundit. Fillimisht në ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” ndaj Cluj, Ballkani kishte pranuar golin e barazimit në minutën e parë të kohës shtesë.
Në Çeki ndaj Slavia Prague të pesë golat ishin shënuar në pjesën e parë. Në Turqi ndaj Sivassporit, Ballkani kishte pësuar gol në minutën e 75-të dhe në minutën e parë shtesë, por që arritën të realizonin sërish për t’iu gëzuar fitores.
Edhe të enjten në “Fadil Vokrri”, Ballkani ka pësuar gola në 20 minutat e fundit të ndeshjes. Në nëntë golat e pranuar, pesë prej tyre kanë ardhur pas minutës së 70-të, ndërsa Ballkani ka mbrojtjen e katërt më të dobët nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse në Ligën e Konferencës.
Mbrëmë pas ndeshjes, edhe trajneri i Ballkanit, Ilir Daja e ka përmendur orarin e ngjeshur dhe lodhjen fizike të lojtarëve si një faktor kyç të rezultatit.
Ballkanit i kanë mbetur edhe dy ndeshje në Ligën e Konferencës dhe nëse i fiton të dyjat, do të kualifikohet në fazën tjetër. /Express