
Pranohen me shkrim deklaratat e dy dëshmitarëve në rastin e liderëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) është marrë vendim për t’i pranuar në prova materiale disa deklarata me shkrim të dy dëshmitarëve sipas Rregullës 153 në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Rregulla 153 parasheh pranimin e deklaratave me shkrim pa u paraqitur dëshmitari në gjykatë për të dhënë dëshmi në rast se dëshmia e tij nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarit për të cilën flet aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të 13 marsit 2025, ZPS-ja më 27 shkurt 2025 kishte paraqitur kërkesë për pranimin e dëshmisë së dëshmitarit W02677 sipas Rregullës 153, e ngjashëm edhe për dëshmitarin W04436.
Ndaj kësaj kërkese, nuk kanë reaguar katër ekipet mbrojtëse që përfaqësojnë të akuzuarit.
ZPS-ja kishte parashtruar se tanimë Paneli ka gjetur se deklarata e ZPS-së me W02677 është relevante, autentike në dukje, provuese dhe e përshtatshme për t’u pranuar sipas Rregullës 154. Andaj, ZPS-ja kishte pranuar një propozim nga mbrojtja për pranimin e një deklarate të po këtij dëshmitari sipas Rregullës 153.
ZPS-ja kishte parashtruar se deklarata e këtij dëshmitari përmbush të gjitha kërkesat e pranueshmërisë.
ZPS-ja gjithashtu kishte kërkuar që intervista e vitit 2010 e dëshmitarit W04436 të pranohet si dëshmi sipas rregullës së lartpërmendur. Ata kanë theksuar se kanë zbatuar një vendim të panelit dhe kanë shpërndarë versionin e gjuhës shqipe të kësaj deklarate.
“Për më tepër, ZPS-ja sqaroi se nuk ka ndërmend të paraqesë kërkesë për Rregullën 153 në lidhje me W04395”, është thënë në vendim.
Sa i përket dëshmitarit W02677, në vendimin e tij, paneli ka theksuar se më 16 prill 2024 ata kanë miratuar pranimin e deklaratës së tij sipas Rregullës 154 duke konstatuar se është relevante, autentike dhe ka vlerë provuese. Ndërsa, tani ZPS-ja kërkon pranimin e një deklarate tjetër të këtij dëshmitari por sipas Rregullës 153, pas propozimit nga mbrojtja.
“ZPS gjithashtu paraqet se pranimi sipas Rregullës 153 do të shmangë stresin e panevojshëm, shpenzimet dhe shqetësimet e tjera në jetën e dëshmitarit, duke përfshirë mundësinë e re-traumatizimit”, është thënë në vendim.
Për këtë deklaratë, ZPS-ja kishte parashtruar se është e mbështetur nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe të tjerë dhe dokumente të ndryshme duke përfshirë edhe dëshmitarë që mbrojtja e të akuzuarve e kishte mundësinë që t’i përballte.
Paneli ka treguar se kjo deklaratë i ka 33 faqe në anglisht dhe nuk është e përsëritshme dhe përmban kryesisht dëshmi bazë të krimit që ka lidhje me prova për çështje të tjera përveç veprimeve dhe sjelljes së të akuzuarve për çka i ngarkon aktakuza.
Gjithashtu, paneli ka konstatuar se deklarata e dëshmitarit W03677 në dukje është provuese dhe nuk është shumë e dëmshme e si rrjedhojë kërkesat për gjykim të drejtë dhe të shpejtë kërkojnë pranimi e saj në prova materiale pa mundësinë e kundërpyetjeve nga palët.
“Për këto arsye, paneli gjen se deklarata e W02677 është e pranueshme sipas Rregullave 138(1) dhe 153 pa mundësinë e kundërpyetjeve”, është thënë në në vendim.
Ndërsa për deklaratën e dëshmitarit W04436, ZPS-ja ka parashtruar se e ka shpërndarë për palët versionin shqip të nënshkruar nga vetë dëshmitari.
Sipas vendimit, më 14 shkurt 2025 ishte miratuar pjesërisht kërkesa e ZPS-së për pranimin e dëshmisë së këtij dëshmitari sipas Rregullës 153. Arsyeja se pse kjo kërkesë nuk ishte pranuar në tërësi, sipas vendimit ishte se deklarata e dëshmitarit s’i ka përmbushur kërkesat sipas Rregullës 153, pikës 2 dhe kështu pranimin e saj e ka shtyrë derisa ZPS-ja t’i plotësojë këto kushte.
Pasi janë plotësuar këto kushte, paneli ka gjetur se deklarata e dëshmitarit W04436 është e pranueshme sipas Rregullave pa mundësinë për kundërpyetje.
“Për arsyet e mësipërme, Paneli vendos: a) miraton kërkesën; b) pranon në dëshmi, pa mundësinë e pyetjeve kryqëzuese, elementët e mëposhtëm, përfshirë çdo përkthim të tyre: (i) deklaratën e W02677; dhe (ii) deklaratën e W04436”, thuhet në vendim.
Ndryshe Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen kinse për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.