Pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur!
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kranisiqit është miratuar pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera.
Në konferencën për informimin javor të datës 11 janar 2024, Doyle ka thënë se kjo kërkesë përfshinte edhe deklaratat e disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur.
“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 15 dhjetor, trupi gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e prokurorisë për të pranuar si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve, përfshirë të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera dhe më pas kanë vdekur”, ka thënë Doyle.
Zëdhënësi i DhSK-së, ka thënë se ligji e përcakton se dëshmitë e dhëna në TPNJ dhe në gjykata të Kosovës mund të pranohen në gjykime.
“Ligji i DhSK-së, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përcakton se dëshmitë e dhëna para TPNJ-së dhe gjykatave të Kosovës mund të pranohen në gjykime. Në përputhje me këtë, Rregullorja e Procedurës dhe Provave e përcakton se dëshmitë me shkrim të personave që ndërkohë kanë vdekur mund të pranohen në qoftë se gjykatësit binden se ‘deklarata, incizimi ose transkripti është prima facie i besueshëm…’. Si me të gjitha llojet e provave, u takon gjykatësve gjatë gjykimit të përcaktojnë peshën dhe vlerën e këtyre deklaratave në kontekstin e çështjes gjyqësore në përgjithësi”, ka thënë Doyle, duke theksuar se më 18 dhjetor, trupi gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka autorizuar prokurorinë t’i bënte redaktime të mëtejshme një prove shfajësuese, siç e lejon rregullorja për mbrojtjen e një dëshmitari.
Duke folur për zhvillimet në këtë çështje gjyqësore, Doyle, ka thënë se më 15 dhjetor të vitit të kaluar, trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin
Ai ka thënë se më 19 dhjetor të vitit të kaluar, trupi gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes se Krasniqit dhe Selimit për të apeluar një vendim të mëparshëm që lidhet me disa deklarata të mëparshme të të akuzuarve të pranohen si prova.
Doyle ka thënë se trupi gjykues ka vendosur edhe mbi ankesat e paraqitura nga Selimi e që pastaj i janë bashkuar edhe Thaçi e Veseli lidhur me zbatimin e vendimit të 1 dhjetorit për modifikimin e kushteve të paraburgimit për tre nga ata.
“Më 20 dhjetor 2023, trupi gjykues vendosi mbi ankesat e paraqitura nga z. Selimi (të cilave iu bashkuan z. Thaçi dhe z. Veseli) në lidhje me zbatimin e Vendimit të Trupit Gjykues të 1 dhjetorit për modifikimin e kushteve të paraburgimit për tre të akuzuarit. Trupi gjykues e refuzoi kërkesën si të parakohshme, duke theksuar se këto kërkesa i dorëzohen fillimisht drejtpërdrejt administratores dhe, në qoftë se refuzohen, të paraburgosurit mund të kërkojnë rishikim gjyqësor të vendimit të Administratores nga Trupi Gjykues”, ka thënë Doyle, duke theksuar se seancat e radhës në këtë çështje gjyqësore do të fillojnë nga 15 janari.
Po ashtu, ai ka thënë se katër seanca që janë planifikuar që të zhvillohen për në shkurt në këtë çështje gjyqësore janë anuluar.
“Katër seanca që më parë ishin planifikuar të zhvilloheshin në shkurt në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët u anuluan pas një kërkese nga mbrojtja e Veselit”, ka thënë ai. /Betimipërdrejtësi