PRANVERA E VETMISË SË MADHE TË UÇK-së

06 mars 2021 | 12:56

Shkruan: Ismail Syla

1
Pas 22 vitesh po shënohet Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa mundësinë e nderimit te varrezat e dëshmorëve në Prekaz nga katër figura madhore dhe të rëndësishme të historisë së re të Kosovës. Pa nderimet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

2.
Këta emra qëndrojnë prapa grilave të një burgu absurd, me të vetmen fajësi: se u angazhuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, se me punën dhe vizionin e tyre përmbysën ëndrrën e Beogradit për ta sunduar përjetë Kosovën. Synimin e tyre dhe të shumë brezave pararendës e mbështeti pjesa më demokratike e botës.

3.
Këta emra të kujtojnë 40 vjetorin e Pranverës së Madhe 1981, kur filloi një valë arrestimesh e burgosjesh pas demonstratave që u bënë platformë e pashmangshme drejt realizimit të Republikës së Kosovës për rreth 20 vjet me radhë. Secila nga katër dekadat kanë profilin e tyre, tashmë histori që po hyn në gjysmëshekullin e saj.

4.
Emrat që sot qëndrojnë prapa grilave në Hagë do ta kenë statusin e të burgosurve politikë shqiptarë në rang ndërkombëtar. Ata, aktualisht janë në vetminë e tyre më të madhe. Asgjë nuk është dera e mbyllur, as efekti i pandemisë së corona virusit, as pamundësia e vizitave të anëtarëve të familjes, sa është braktisja institucionale e tyre.

5.
Emrat e të burgosurve ne Hagë ta kujtojnë pozicionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ofansivat e verës dhe vjeshtës 1998, kur Serbisë iu dha dritë e gjelbër për ta shkatërruar UÇK-në. Sado e dëmtuar dhe e traumatizuar asko kohe, Ushtria Çlirimtare nuk u zhbë, Serbia nuk arriti ta shkatërrojë dot. UÇK-ja e mblodhi veten dhe doli fituese e luftës për liri.

6.
Emrat e të burgosurve janë në kulmin e vetmisë së tyre. Nuk ka parlament, nuk ka qeveri nuk ka presidencë të Kosovës që i mbron ata. Nuk ka OJQ as organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që e ngrisin zërin për t’i mbrojtur me seriozitet dhe dinjitetshëm ata (përjashto shoqatat e dala nga lufta, siç thuhet me një shprehje zhargonike).

7.
Emrat që sot nuk mund të bëjnë nderime te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari, te varret e Jasharëve të shumtë dhe të të rënëve të tjerë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ashtu si Ushtria Çlirimtare e Kosovës që i mbijetoi ofansivave të verës dhe vjeshtës 1998, do ta përballojnë vetminë e madhe aktuale dhe do të dalin ngadhënjimtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtori i Postës dhe Telekomit, Misrit Thaçi ka vdekur pas…