“PRAXIS-Physiotherapy” sponsor i Prishtinës
“PRAXIS-Physiotherapy Center” është qendra e parë dhe e vetme fisoterapeutike në Kosovë, kurse do të jetë sponsor i FC Prishtinës për një vit. Marrëveshja është arritur pas bisedave në mes pronarit të “PRAXIS-Physiotherapy Center”, Naim Ademi dhe drejtorit sportiv të FC Prishtina, Arsim Thaqi.
“Marrëveshja e arritur ka disa qëllime. Nuk kam dashur t’i largohem sportit dhe sportistëve, sepse tani e 18-vite jam pjesë e sportit vendor. Dëshirë e imja ishte të jem pjesë e klubit më të madh në vend, FC Prishtina, pjesë e kampionëve, sepse gjithmonë kam qenë pjesë e Prishtinës dhe pjesë e kampionëve. Prishtina do t’i ketë dyert hapur në çdo moment, sa herë të ketë nevojë, e shpresoj të ketë nevojë sa më pak, sepse lëndimet nuk i donë askush edhe pse ne e kemi profesion dhe varemi nga kjo punë. Deri më tani kam pasur vizita të shpeshta individuale të futbollistëve të Prishtinës, por tani e tutje kjo do të jetë në mënyrë të organizuar dhe në marrëveshje të nënshkruar. Shpresoj shumë që futbollistët e lënduar t’i rehabilitojmë sa më shpejtë që t’i ndihmojnë klubit që pas katër vitesh të rikthejnë titullin e kampionit në kryeqendër”, ka thënë Ademi.
Qendra “Praxis” si e tillë për masazh ekziston nga viti 2012, ndërsa si qendër edhe Fisioterapisë është hapur në muajin nëntor të vitit 2017. Qendra përmban terapifizikale, hidroterapi, manualterapi, elektroterapi, kineziterapi etj.