Prefekti i Des Moines nga Iowa viziton Odën Amerikane
Prefekti i Qytetit të Des Moines në shtetin amerikan të Iowas, Frank Cownie, si dhe kryetari i Komisionit të Qyteteve Simotra të Greater Des Moines, Roger Nowadsky, të shoqëruar nga konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Iowa, Artan Duraku, vizituan Odën Ekonomike Amerikane ku u takuan me drejtuesit organizatës, si dhe Drejtorin e Planifikimit strategjik dhe zhvillimit te qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota.
Prefekti Cownie u interesua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet kompanive amerikane nga shteti i Iowas me ato të Kosovës, derisa u zotua për angazhimin e tij personal për fuqizim të raporteve ndërmjet shtetit të Iowas dhe Kosovës, e posaçërisht të qytetit të Des Moines, të cilin ai e drejton.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, foli për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve duke theksuar se rol të rëndësishëm në kultivimin e këtyre marrëdhënieve ka luajtur edhe Oda Amerikane, duke u zotuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojë një rol i tillë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, u foli vizitorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane, si një mundësi e jashtëzakonshme për tërheqjen e bizneseve nga SHBA-të në përgjithësi dhe atyre nga Iowa në veçanti. Ai foli për sektorët e caktuar që mund të jenë më atraktivë për investitorët amerikanë, por edhe produktet cilësore të Kosovës, që lehtazi mund të depërtojnë në SHBA.
Në anën tjetër, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Artan Duraku, foli për planet e tij për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Iowas dhe Kosovës, posaçërisht në fushën ekonomike.
Kosova dhe Iowa kanë marrëdhënie të binjakëzimit që nga viti 2013, ndërsa së fundmi edhe qytetet e Prishtinës dhe Des Moines kanë nënshkruar marrëveshjen e qyteteve simotra me njëra tjetrën.
/Epoka e re/