“Prefekti” nuk është tallje vetëm me Qazim Mulletin
Nga: Gjergj Erebara
Në Shtetet e Bashkuara, një debat u hap mbi mënyrën se si duhet të shohim disa krijime letrare apo artistike të dekadave më parë, krijime që janë konsideruar si kryevepra në kohën kur janë bërë e nga pikëpamja artistike ndoshta janë edhe sot, por që temat që ata trajtojnë dhe mënyra se si i trajtojnë i bëjnë fyese për komunitetin e afro-amerikanëve, forcojnë stereotipat dhe justifikojnë racizmin që është një realitet edhe në ditët tona.
Debati kryesor lidhet me librin dhe filmin “Gone With the Wind”, (Bashkë me erën), romani i Margaret Mitchellit i vitit 1936 dhe filmi jashtëzakonisht i suksesshëm i vitit 1939. Pas debateve në media, rrjeti HBO vendosi ta heqë atë film nga transmetimi për arsyen e thjeshtë se, kryevepër apo jo, ai roman dhe ai film normalizojnë skllavërinë, paraqesin skllavin si një anëtar i lumtur i familjes dhe skllavopronarin si njeri normal.
Në Shqipëri, komedia “Prefekti”, për të cilën ka pasur një debat ditët e fundit nëse duhet apo jo të transmetohet, është pak a shumë si “Gone With the Wind”, por pa meritat artistike të kësaj të fundit. Është një komedi që supozohet se tallet me Qazim Mulletin, zyrtar fashist i Luftës së Dytë Botërore, por në fakt komedia stereotipizon të gjithë popullsinë e njohur konvencionalisht si “tiranasit e vjetër”, duke përdorur në skenë dhe në ekran dialektin e tyre shumë vjet pasi dialektet u shpallën të paligjshme në kongresin e anti-gjuhës shqipe në vitin 1972.
Edhe te “Gone With the Wind” ka një element të tillë përçmues: anglishtja e folur nga zezakët e Amerikës si një gjuhë e pakultivuar njerëzish gjysmanalfabetë që nuk bëhen dot “të bardhë”.
Mesazhi propagandistik i komedisë është i qartë: partia e punës, e cila ishte pagatorja e të gjitha veprave të artit në Shqipëri në atë kohë, synonte të etiketonte një pjesë të popullsisë si e trashë, dembele dhe hajdute banale. Në veçanti, skena në të cilën bashkëshortja e Qazim Mulletit paraqitet si një njeri pa shkollë, së cilës i pëlqen një qilim zyre dhe kërkon menjëherë ta vjedhë, përbën një instrument dhune verbale jo ndaj Qazim Mulletit dhe jo aq shumë ndaj bashkëshortes së tij, por kundër të gjithë tiranasve.
Stereotipizimi i një popullsie ka shërbyer në të gjithë historinë e njerëzimit për të justifikuar persekutimin e saj. Fillimisht ishte skllavëria, pastaj erdhi racizmi për të justifikuar skllavërinë. Hebreu ishte fillimisht makuti fajdexhi para se të përfundonte në kamp përqendrimi. Tiranasi i vjetër ishte i trashë dhe rrjedhimisht duhej të përfundonte punëtor miniere. Tiranasi i vjetër ishte fashist dhe për rrjedhojë, grabitja e pronave të tij ishte e justifikuar.
Mbrojtësit e komedisë, përfshirë Erjon Braçen, që tentojnë ta justifikojnë atë me faktin që Qazim Mulleti ka qenë zyrtar fashist dhe që fashistët kanë vrarë antifashistë (që në fakt edhe antifashistët kanë vrarë fashistë dhe komunistët kanë vrarë shumë të tjerë që nuk ishin as fashistë dhe as antifashistë), duhet të mendojnë pak më gjatë nëse atyre do t’u pëlqente që ndonjë armik politik të bënte ndonjë komedi për t’i tallur jo vetëm ata, por familjet e tyre apo komunitetet nga vijnë, duke i paraqitur ata si të trashë sepse janë të paaftë të flasin gjuhën zyrtare dhe kanë mbeturina dialektesh në të folur, apo janë hajdutë banalë që vjedhin një qilim nga zyrat e shtetit.
Komedia “Prefekti” është mirë të mos shfaqet.
P.S. Debatet dhe reagimet e shumta, përfshirë të pasardhësve të Qazim Mulletit, kanë bërë që Teatri Kombëtar i Shqipërisë të fshijë (pasditen e së martës së 7 dhjetorit 2021), nga faqja e vet e “Facebook”-ut, videon e rileximit të “komedisë” “Prefekti”.