PREKAZI DHE ADEMI

12 qershor 2020 | 14:48

Bedri Islami

Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (4)

A do të ndodhnin zhbërja dhe harresa? Ata ishin të bindur se po. Nuk do të ishte hera e parë që do të gabonin, por me siguri se do të ishte hera e fundit. Nuk do të kishin kohë për gabime të tjera sepse kishte filluar rrokullima e pandalshme dhe theqafja e tyre. Njerëzit e rrethuar në mëngjesin e bardhë të 5 marsit të vitit 1998, tashmë kishin bërë edhe ata rrethimin e tyre. Askush më mirë e më shumë se ata, nuk e kishin ngritur shpirtin e madh të revoltës. Megjithatë, ajo që kishte ndodhur deri më 4 mars do të ishte vetëm një pjesë e jetës së tyre të furishme, do të ishte e pazakontë, por gjithsesi jo e plotë. Do të kishin tri ditë netët e luftës dhe pastaj do të vinte koha e tyre…

Rreth orës 5:00 të mëngjesit rrethimi ishte bërë i plotë. Ishin zënë thuajse të gjitha shtigjet, mbi 200 mjete të blinduara kishin rrethuar vendlindjen e tyre, Prekazin, 15 gryka topash ishin të gatshëm për të granatuar, njëkohësisht ishte rrethuar krejtësisht lagjja tjetër përbri, ajo e Lushtakëve, Llausha dhe Açareva ishin nën rrethim, Vojniku ishte tashmë nën presionin e izolimit, të gjitha rrugët drejt Prekazit ishin përmbyllur nën një rreth të zjarrtë plumbi, predhash e baroti. Do të duhej një hartë e tërë për t’i shtrirë dhëmbët e kuçedrës. Gjithçka dëshmonte se përgatitja për këtë natë-ditë kishte qenë e gjatë, e jashtëzakonshme e, njëkohësisht, e përbindshme. Telefonat dhe mesazhet serbe nuk pushuan gjithë natën.

Do të kthehemi përsëri në këtë fillim dite të pesë marsit dhe në çastet para saj. Do të kthehemi sepse nuk mund të bëjmë pa to asnjë histori jo vetëm historinë e njerëzve të rrethuar, por as pjesë të historisë së vetvetes të kombit.

Sidoqoftë kishte qenë një natë me brymë të bardhe dhe nëpër fillesën e bjeshkëve përreth brymëzat dukeshin tani si yje të bardhë që kishin rënë aty këtu. Më pas do të ndodhte një fenomen i çuditshëm, i pandodhur më parë, brymëzat ose do të shkriheshin nga nxehtësia e armëve, ose do të përskuqeshin nga gjaku i derdhur.

Mes dy rrethimeve nuk kishte mbetur asnjë zgjidhje tjetër.

Rrethimi i zi serb kishte në vete mijëra forca të çfarëdollojshme dhe idenë e çrrënjosjes nga vatrat.

Rrethimi i bardhësisë kishte pasur në vete gjithnjë idenë e lirisë dhe sado mund të dukej i brishtë, ai ishte në agun e tij dhe si çdo gjë në ag, do të kishte të ardhmen. Nëse deri atëherë ideja do të ishte e mbrojtur me vitalitetin e një kombi, tashmë vitaliteti dhe ideja do të kishin edhe simbolet e tyre.

Ishte përmbyllur rrethimi i 4 marsit dhe po hapej dita e pesë marsit. Cilët ishin të rrethuarit?

Shumë shpejt gjithçka do të bëhej e njohur për të gjithë.

Historia ishte në të mbrujturin e saj, magjja e legjendës po përgatiste mitin e së nesërmes.

Prekazi

Historia ka të vërtetën e saj, legjenda ka edhe ajo të sajën. Jo rrallë e vërteta historike është e ndryshme nga e vërteta legjendare. Jo rrallë ata ndërthuren me njëra tjetrën, deri në atë pikë, sa që është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të kuptosh fillesën e kufijve të njërës dhe përfundimin e tjetrës. E vërteta legjendare është shpesh herë një mjet për të arritur qëllimin që një komb i vë vetes, në fund të fundit, historia dhe legjenda kanë të njëjtin qëllim, të ndërtojnë nën njeriun e çastit, njeriun e përjetshëm. Mirëpo ajo që po ndodhte në fillesën e ditës së 5 marsit do të ishte diçka krejt tjetër, krejt e pazakontë, është ndër rastet kur historia plotëson legjendën, është ndër rastet kur historia është e përgjithshmja dhe legjenda është për hollësitë. E pazakontë, por e vërtetë.

Prekazi e meriton një çudi të tillë. Prekazi në vetvete është një çudi. Në qoftë se duam të kuptojmë Prekazin, le të parafytyrojmë njeriun që është mësuar të jetë i lirë, edhe kur të tjerët rreth tij ndjehen të robëruar, le të parafytyrojmë nga njëra anë pushtuesin serb dhe nga ana tjetër malësorin e Drenicës ; dhe përballë këtyre dukurive të pakrahasueshme, që janë një kundërvënie e pafund e agresivitetit ndaj mirësisë, e kërcënimit ndaj butësisë, le të vëmë këtë malësor, përgjithësisht me flokët e gështenjta, me sy të qartë dhe shikim të kthjelltë, i furishëm, por gjithherë brenda masës që i lejon kodi i tij i nderit, nganjëherë i vrazhdë në dukje, por gjithherë me zemrën e një fëmije; le të vëmë këtë malësor, i cili e ka kufirin e tij mes çatisë mbi kokë dhe qiellit, që jeton brenda gardhit të tij , duke pasur në vëmendjen e pashuar gjithë vendet ku flitet shqip dhe përtej saj, këtë njeri që i falet grurit, qumështit, barit të gjelbër; që respekton gjyshërit e stërgjyshërit, me aq forcë e dinjitet sa përulet edhe para varreve të të parëve, këtë njeri që e bën mendjen të jetojë edhe në varr , por kurrë të mos jetë i palirë; malësorin që i falet së pari parmendës, që nderon djersën e derdhur, që përkulet para gjakut, që mpreh kosën dhe harr grurin; që ndoshta beson e nuk beson në perënditë, por i falet gurit të lartë që vesh themelet e shtëpisë apo që është vendi ku janë mbledhur kuvendet e burrave që shkuan.

Prekazi duket sikur ka dalë nga legjendat për të bërë histori, ai nuk është një histori për të bërë legjenda. Këtej gjërat kanë rrjedhur ndryshe nga e zakonshmja, mirësitë aty janë të përbashkëta, kjo ka bërë që edhe lufta të jetë e përbashkët.

Nëse e ke menduar një malësor të tillë, qoftë edhe në përmasat e tij të përditshme jetësore, atëherë e ke më të lehtë të përqendrohesh në atë që mund të sjellin në mendje dy prej tyre, të cilët janë vetë thelbi i asaj që shkruam më lart, brumi nga i cili është gatuar njeriu që e ka bërë mendjen “të jetojë edhe në varr, por të jetë i lirë”.

Nuk mund të gjesh shëmbëlltyrë më të përsosur të këtij malësori se sa ajo e Adem Jasharit dhe e vëllait të tij, Hamzës. Nuk mund të sjellësh në mendje një rast tjetër, ku njeriu i veçantë është pasqyrë besnike e fisit të tij, ku gjyshërit dhe stërgjyshërit e treqind viteve jetojnë tek vazhduesit e tyre, njëlloj si të ishin pjesë të ditës së djeshme.

Ademi

Portreti i Adem Jasharit është ai i shqiptarit tipik malësor të Drenicës. Pamja e jashtme e tij dëshmon pikërisht për figurën e malësorit me shikimin e kthjelltë, të qartë, dhe, krejt natyrshëm, është në ekuilibër të plotë me forcat e tij të brendshme, Shtatin ai nuk ka as tepër të madh, as tepër të vogël, trupin as tepër të rëndë dhe as tepër të brishtë: kudo e kurdoherë një pasqyrë vërtet shembullore e harmonisë njerëzore. Ai është një burrë i pashëm, një njeri burrëror, një malësor fisnik me tipare të rregullta, vështrimi i tij i përqendruar tregon se kemi të bëjmë me një njeri të vendosur deri në skajin e fundit, fjalët e tij të pakta janë shenjë e qëndresës dhe dëshmi e njeriut të punëve të mëdha.

Adem Jashari, kujtojnë bashkëluftëtarët e tij, e kishte zakon të ngrinte lehtësisht kokën lart, shikimi i tij ishte drejtuar gjithnjë së larti dhe kurrë nuk shikonte përdhe. Si për të gjetur oguret dhe

zbulesat që mund të shfaqeshin ndër retë e qiellit. Mund të thuhej se ishte një njeri i pasur, në se do të llogarisim tokën që kishte familja e tij, pyjet përbri dhe livadhet, ujërat dhe gjënë e gjallë, mjetet dhe gjithë atë që mund të quhej pasuria e tyre. Kjo gjendje mund ta shtynte drejt të zakonshmes, të përditshmes, duke hequr dorë nga ajo që do të vinte. Mirëpo, ai nuk kishte lindur për një fat të tillë, të thjeshtë, të zakonshëm dhe herë pas here, edhe të errët.

Ndonjëherë imagjinata njerëzore zgjedh një figurë , ose disa figura të së shkuarës, për të përligjur dëshirat e saj. Ademi thërret në ndihmë të tij figura madhore të së shkuarës, nuk ka rëndësi se në cilin cep të Shqipërisë ka jetuar figura që thërret, atij i duhet kjo për të kapërcyer veten dhe për të mos mbetur thjeshtë një prekazali ose një drenicas i zakonshëm. Në më shumë se 15 vite pjesë e strukturave ilegale të lëvizjeve çlirimtare, ai kërkoi të sillte një kohë, që për shumëkënd tashmë kishte shkuar. Me gjithë forcën e tij ai vuri përpara syve të mendjes një numër të madh figurash mitike shqiptare, të cilat u rrok t’i trupëzonte gjatë jetës së tij. Përpjekja e tij nuk qe as e para dhe as e fundit, por kurrë më parë, e as më pas, nuk ishte bërë e nuk do të bëhej, me kaq zell, përkushtim dhe madhështi.

Këtë e kanë vërejtur edhe nipërit e bijtë e tij. Tregon nipi i tij, Murati: “Thonë se shpirtrat rilindin… shikojeni filmin e Çerçiz Topullit, ngjarjet dhe figurat që kanë lëvizur në atë film dhe në pozicione të ngjashme është gjetur Adem Jashari me shokë gjatë luftës. E njëjta ngjarje ka ndodhur, e njëjta luftë. Çerçizi ka pasur pak fjalë. Edhe Ademi ka folur shumë pak. Anën diplomatike në filmin e Çerçiz Topullit e ka udhëhequr Mihal Grameno. Atë rol, ndërkaq, tek ne e ka pasur Baci Hamzë…”.

Shembujt e ndjekur nga Adem Jashari kanë qenë tribunët, prej tyre, ashtu si nga i ati, ai mësoi përballimin e të gjitha dhimbjeve të botës, vuajtjeve të mëdha të luftës, mrekullisht pa e njohur dëshpërimin.

Dalëngadalë, natyrshëm, ndodhi një fenomen tjetër. Asnjë njeri tjetër, më shumë se sa ai, nuk ngërthente në vetvete kaq shumë persona të mbledhur rreth një qendre, u bë i shumëllojtë dhe i shumëfishtë. Ndërsa ai mbledh rreth vetes figurat mitike të së shkuarës, drejt tij shkojnë të tjerët, pasi e ndjejnë se kanë nevojë për të, se u duhet shembulli i tij, qëndresa që u afron, siguria që ua jep. Miq të tij të luftës do të jenë të gjithë ata që e kanë bërë në mend të luftojnë, dhe kur e fillojnë luftën, atëbotë kalojnë në stadin tjetër, të bashkëluftëtarit.

Drejt tij shkojnë fillimisht prekazalitë, që janë më afër se të tjerët, të fisit të tij të Jasharëve, apo të lagjeve të tjera të Prekazit të Poshtëm, Kodralitë, Lushtakët, Mehajt, me to dhe përmes tyre, ai do të krijojë çetën e parë, pastaj grupin e parë. I strukturuar në lëvizjen ilegale çlirimtare, ai do të rritë veten pastaj nëpër Drenicë, do të shkojnë drejt tij djemtë e rinj dhe burrat. Fillimisht do të jetë një ujëvarë lirie, do të kthehet pastaj në lum që rrjedh drejt lirisë, për t’u kthyer në det lirie. Si eci ai përmes tri hallkave do e themi më pas, por e rëndësishme ishte se ai i besoi që në fillim ujëvarës së lirisë dhe u përgatit për hapat e mëtejmë.

Drejt tij shkon Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, njëri drenicas dhe tjetri nga Mitrovica, rrethi hapet, i pari ngulmon në qendrën e lëvizjes ilegale çlirimtare se, domosdo, duhet bërë furnizimi me armatim i grupit të Drenicës, dhe kjo është në janarin e vitit 1992. Ai do të flasë gjatë me njërin nga drejtuesit e atëhershëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ramadan Avdiun, se duhet bërë me patjetër mbështetja logjistike e grupit të Drenicës, së cilit edhe i takon. Do të shkojnë drejt tij Sylejman Selimi, më pas Rexhep Selimi, Nait Hasani, aty gjejnë strehë Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, Luan Haradinaj, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj do të vijë nga Dukagjini, rrethi hapet më tej; tenton të shkojë drejt tij edhe fizikisht Zahir Pajaziti, por i pret rrugën plumbi i pritës serbe; atëherë merr rrugën Rustem Mustafa dhe Rafet Rama, niset drejt tij Fehmi Lladrovci dhe Xheva, ka një ngarendje të vullnetshme. Gjithçka fillon të ndryshojë, ai mbetet i njëjti, njerëzori, me synimin që të pamundshmen, ta bëjë të mundshme. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe…