Prekazi, një krim serb i shekullit
Basri Musmurati
Para se të shkruaja këtë shkrim për publikim, kisha një dilemë, a duhet ta bëja një gjë të tillë, dhe në 20-vjetorin e masakrës së Prekazit të shqetësoj edhe një herë me këto rrëfime ata pak anëtarë të familjes Jashari që mbetën gjallë pas masakrës dhe këta të tjerët që lindën e po rriten pas këtij krimi makabër. Përkundër që nga dita e parë e sulmeve serbe mbi Jasharët, për këto krime serbe kam folur, dokumentuar, shkruar e informuar kudo që qe e mundshme në Kosovë e jashtë saj në kohën kur ndodhi krimi, megjithatë vendosa ta bëj publik këtë shkrim e të sqaroj besnikërisht atë që kam parë me sytë e mi.
Familjes Jashari dhe familjarëve të të tjerëve të vrarë në këtë masakër, fillimisht u kërkoj ndjesë që po ua shprish ndjenjat e dhimbjes edhe kësaj here për të afërmit e tyre të dashur.
Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998, në Kryesinë e LDK-së na njoftuan se në Prekazin e Poshtëm të Komunës së Skenderajt po dëgjoheshin të shtëna armësh nga të gjitha llojet. Këtë informatë e mora nga Gani Koci. Shpejt u mor vesh se policia dhe ushtria serbe kishin bërë rrethimin e plotë të pjesës më të madhe të Drenicës.
Cak i sulmeve serbe ishte Prekazi i Poshtëm, gjegjësisht lagjja e Jasharëve, më konkretisht familja e Shaban Jasharit. Kjo familje kishte qenë cak i sulmeve serbe edhe më parë. Vinin lajme se ka shumë të vrarë, por pushteti serb nuk dha asnjë informatë zyrtare. Në zyrën e LDK-së nuk kishte ndonjë qarkullim të veçantë, me përjashtim të disa anëtarëve të Kryesisë. Pas orës 11.00 në seli erdhi edhe Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së.
Menjëherë komunikuam, por ai tha se nuk kishte kurrfarë informatash. Rreth orës 13.00 rashë në kontakt sërish me Gani Kocin, Ramadan Dobrën e Idriz Rrecin, të cilët na informuan se në qytetin e Skenderajt nuk mund të depërtohet nga asnjë anë, por në Prekaz ka luftime pa ndalur. Sipas tyre, njerëzit që ishin të gatshëm t’u shkonin në ndihmë Jasharëve, nuk kishte mundësi as të afroheshin, sepse kishte izolim të plotë nga policia e ushtria serbe.
Para orës 14:00 të 5 marsit 1998 unë, Basri Musmurati, Rexhep Gjergji dhe shoferi Lulzim Makolli, u nisëm për të shkuar në Prekaz të Epërm nga drejtimi i Vushtrrisë. Pas një ndalese të shkurtër që na bëri policia në Pestovë të Vushtrrisë, pa ndonjë problem arritëm deri në fshatin Galicë. Aty takuam ca gazetarë që pritnin. Më vonë kuptuam se ndonjëri prej tyre kishte shkuar deri në Prekaz të Epërm, por ne nuk i takuam. Vlen të theksohet se te një pjesë e gazetarëve, ashtu edhe te një pjesë e opinionit të Kosovës, ishte formuar një përshtypje se anëtarët e kryesisë së LDK-së nuk i gjen gjë, se këta “I mbron Amerika”, thoshin.
E vërteta ishte krejt ndryshe, lëvizjet tona shpesh i paguanim me kurriz. Pasi lamë makinën në fshatin Galicë, u nisëm për Prekazin e Epërm. Ne nuk e dinim rrugën, por me ne erdhi një djalë i ri. Pasi udhëtuam, ndoshta gjysmë ore nëpër ara e male, arritëm në Prekaz të Epërm, në të cilin kisha qenë edhe më herët me Gani Kocin. Aty takuam shtatë veta që kishin ndezur një zjarr dhe vëzhgonin nga larg se çfarë po ndodhte në Prekazin e Poshtëm.
Një nga ata mbante në krah një automatik të prodhimit rus, tjetri një pushkë M-48 me kondak të shkurtuar, i treti një pushkë gjuetie dhe një bombë dore, ndërsa të tjerët nuk kishin ndonjë armë të gjatë. Tre prej tyre i njihja, por emrat nuk ua dija. Vendi ku kishin ndezur zjarrin nuk ishte më larg se 1 500 metra vijë ajrore prej shtëpive të Jasharëve, prej të cilave dilte tym e flakë.
Nëse isha orientuar deri diku, kjo pozitë nga dukej Lagjja e Jasharëve duhet të ketë qenë në pjesën juglindore të Prekazit të Epërm. Pasi u përshëndetëm, Rexhep Gjergji u tha atyre që hasëm: “A jeni normalë që qëndroni këtu? Me një granatë mund t’ju vrasin të gjithëve. Largohuni në pozicione më të përshtatshme”. Njëri u përgjigj: “Jemi këtu kohë të gjatë, por nuk po na gjuajnë me armë”. Megjithatë, bashkërisht u shpërndamë në pozicione prej nga mund të shihnim se çfarë po ndodhte. Dukeshin shtëpi të rrënuara, dukeshin policë serbë nga të gjitha anët.
Çdo 4-5 minuta me gjyle topi goditej një shtëpi. Fillimisht shtëpinë e bombarduar e mbulonte tymi pastaj e kaplonte flaka. Më rrallë dëgjohej ndonjë e shtënë pushke, automatiku e pushkomitralozi. Nga se ne nuk ishim më larg se një kilometër e gjysmë në vijë ajrore nga lagjja Jashari, mund të shihnim shumë qartë gati çdo gjë e lëvizje. Nuk kishte lëvizje qytetarësh e lëvizjet e policisë serbe ishin më të rralla. As zhurmë e as britma qytetarësh nuk dëgjoheshin.
Në një shtëpi në Prekazin e Epërm, diku afër shkollës, takuam një njeri që thanë se ka dalë nga rrethimi, por ai nuk ishte në gjendje të komunikonte me asnjeri, vetëm na shikonte i frikësuar, pa thënë asnjë fjalë të vetme. Shtëpitë e Prekazit të Epërm ishin të boshatisura plotësisht. Një pjesë e madhe e tyre ishin të shpuara nga plumba të pushkomitralozёve serbë. Nga ata pak banorë që takuam, njeri ishte shumë i shqetësuar dhe plot mllef, pse një predhë i kishte shpuar kovën e bunarit.
Në ndërkohë, një nga këta njerëzit e armatos, me një shqetësim, mu drejtua: “Duhet të largohemi pak nga këta se kam me të thanë diçka”. Pasi u bind se nuk na dëgjon askush, vazhdoi: “Na kemi të dhëna se poshtë atje te Jasharёt janë 12 veta të vrarë në luftime dhe shumë të tjerë nuk mund të dalin nga rrethimi. Në mesin e të vrarëve është edhe Shaban Jashari, me gjasë edhe djali i tij, Hamza. Emrat e të tjerëve nuk i dimë saktësisht, por krejt janë të Jasharëve. Ne po presim të terrohet dhe do të futemi në front. Po t’i jap këto informata se nuk di çka do të bëhet kur të terrohet.
Banorët e Prekazit të Epërm i kemi larguar porsa ka krisë lufta atje poshtë në Prekaz të Poshtëm”. Sa bisedonim, granatimet nuk ndaleshin. Ishte për t’u çmendur kur dije se një lagje e tërë ishte në luftë me një makineri vrastare serbe dhe ti nuk mund të ndihmosh me asgjë. Thënia e këtyre burrave, se sa të terrohet edhe ne do të futemi në front, përveçse shprehte një gatishmëri të tyre për t’u sakrifikuar, dukej edhe si një utopi e këtyre njerëzve që nuk kishin farë armësh me të cilat mund të ndihmonin.
Kaluan më shumë se 45 minuta që ne po sorollateshim në kodrën e Prekazit të Epërm dhe nuk dinim ç’të bënim. Atij më të vjetrit që dukej më i pjekur dhe më i arsyeshëm në këtë kohë të paqartë, ata të tjerët i dëgjonin fjalët e tij, ne kërkuam nga një armë që të qëndronim edhe ne me ta gjatë natës. Një që nuk kishte fare armë, me një nervozë të jashtëzakonshme, na u përgjigj: “Na nuk po kemi një automat për vete e ju keni ardhur prej Prishtinës e lypni armë”. Megjithatë, Rexhepi u tha: “Bëni çka të mundeni e të dini, por amanin jua kam mos e shpërndani luftën edhe këtu në Prekaz të Epërm dhe në fshatrat e tjerë ku ka fëmijë e gra”.
Ishte ora 16:50 kur vendosëm të kthehemi në Prishtinë, së paku për të shpërndarë informata nëpër botë se çka po ndodhte në Drenicë. U ndamë nga ata pak njerëz që na shoqëruan gati një orë dhe vazhduam deri në Galicё, ku kishim makinën me të cilën duhej të ktheheshim në Prishtinë. Fatmirësisht, rrugës nuk patëm probleme.
Me të arritur në Prishtinë shkuam në Shoqatën e Shkrimtarëve, ku na pritnin gazetarë e ndonjë anëtar i Kryesisë së LDK-së. Një informatë me një disa fjali ia thamë Rasim Cubollit (të gjithë e thërrisnim Cima), i cili punonte me përkushtim për lansimin e informatave nëpër botë. Së pari me një faks informatat i përcillte në shumicën e ambasadave të huaja në Beograd, më pastaj ku arrinte nëpër adresa të ndryshme nëpër botë.
Një kujdes të veçantë e kishim gjithherë me Shqipërinë, kur i dërgonim në Ambasadën e tyre në Beograd te Besnik Konqi, i ngarkuar me punë. Kur është fjala te zoti Konqi, vlen të thuhet se ai shumë shpesh vinte në Kosovë, herë duke i njoftuar organet gjegjëse në Beograd e më shumë vinte në vijë private. Ka qenë njeri shumë i përkushtuar për Kosovën ato vite sa qëndroi si diplomat në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd.
Me gazetarët që ishin tubuar në Shoqatën e Shkrimtarëve mbajtëm një konferencë shtypi duke i njoftuar se çka kishim parë në Prekaz. (Vijon)