Prekazi: Për Kosovën japim maksimumin

28 maj 2019 | 11:43

Përzgjedhësi i U21-shave, Rafet Prekazi, nuk ka treguar se cilin rezultat e synon Kosova në dy ndeshjet e qershorit, por ka konfirmuar se motoja mbetet e njëjtë që çdo lojtar duhet ta japë maksimumin për fanellën e “Dardanëve”.

Përfaqësuesja e Kosovës U21 në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje në muajin qershor. Fillimisht “Dardanët” e rinj i shkojnë më 6 qershor Andorrës, kurse pesë ditë më vonë e presin në “Adem Jashari” Turqinë.

Trajneri Rafet Prekazi ka ftuar 25 futbollistë për këto dy ndeshje, kurse risi janë Lirim Kastrati që ishte pjesë e Përfaqësueses A dhe Alfred Ajdareviq i cili në të kaluarën ka luajtur për Suedinë dhe Shqipërinë. “Në listën për dy ndeshjet e ardhshme kemi gjashtë lojtarë të vitit 2000, derisa dihet se në këto kualifikime kanë të drejtë loje futbollistët e lindur në vitet ’98 dhe ’99. Ne presim që edhe kjo gjeneratë të japë më të mirën nga vetja. Çdo lojtar që paraqitet për Kosovën do ta japë maksimumin. Kjo ka qenë motoja e gjeneratës së kaluar dhe kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Do të kemi telashe sa i përket komponimit të ekipit, por kjo është puna e trajnerit”, ka thënë Prekazi, i cili ka refuzuar të japë ndonjë parashikim për dy ndeshjet e qershorit, kurse ka thënë se synim i tij është komponimi i ekipit.

“Nuk jam prej trajnerëve që jap deklarata për rezultate para ndeshjeve. Objektivi është komponimi i ekipit. Sidoqoftë, ne duhet ta shohim realitetin. Si shtet i ri ndoshta në letër të gjithë mund të jenë para neve, por fusha është diçka tjetër. Kam besim që këta djem do ta japin 200 përqindëshin e tyre. Jam i bindur se asnjë kundërshtar nuk do të na nënçmojë sepse kemi talente dhe individualist shumë të mirë, por mbetet të shihet se sa do të arrijmë ta komponojmë ekipin për këtë kohë kaq të shkurtër. Por, besoj se bashkërisht mund të shkojmë shkallë-shkallë më lart”, ka shtuar Prekazi.

Lista e lojtarëve

Florjan Smakiqi, Flamur Gashi, Ardit Nika, Ardrit Miftari, Leonat Vitija, Kreshnik Hajrizi, Leart Sadiu, Lirim Kastrati, Arbenit Xhemajli, Lirim Meha, Besfort Kolgeci, Fuad Rahimi, Roni Gashi, Kreshnik Krasniqi, Donat Hasanaj, Eris Abedini, Ismet Lushtaku, Gentrit Limani, Blend Baftiu, Lirim Kastrati, Alfred Ajdereviq, Ardit Gashi, Arbnor Muja, Jetmir Topalli, Mirlind Daku.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Integrimit Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë…