PREKAZI, VARRAGA DHE UKRAINA!
Behxhet Sh. Shala – Bajgora
1. PREKAZI: Për çdo shqiptar liridashës, Prekazi është kryeqyteti i çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Është kuptimi i vet qenies dhe ekzistencës shqiptare. Është akti më i lartë njerëzor, moral dhe kombëtar. Prekazi është Kushtetuta e të gjitha kushtetutave që sanksionojnë të drejtën për liri, çlirim dhe pavarësi. Është orakulli i të gjitha ninullave, tregimeve, gjakimeve për trimërinë, sakrificën, vetmohimin, rënien, ngritjen, ringritjen dhe ringjalljen e idesë dhe njeriut.
Prekazi është vendlindja dhe vendkalimi në amshim i Komandantit Legjendar Adem Jashari, i frymëzuar nga Komandanti Politik, Bacë Adem Demaçi. Prekazi është parajsa e lirisë dhe ferri i robërisë. Në çdo 28 nëntor, lumenjë patriotësh që kontribuan për këtë liri, gjeneratat që po rriten në këtë liri dhe filizat që ende nuk e kuptojnë lirinë, derdhen drejt Prekazit pavarësisht kohës dhe rrethanave tjera.
Prekazi shndërrohet në kryeqytet të gjeografisë shqiptare, në një Piemont shqiptar. Luftëtarë krenarë, në moshë, pa gjymtyrë, në karroca, bebe, pleq, me uniforma të UÇK-së, me plisa dhe flamuj kombëtarë, e kalojnë itinerarin e lavdisë për të cilën ndjejnë krenari sikur të ishin edhe vet pjesë e luftës. Prekazi është djep i të gjithë shqiptarëve dhe mbarë njerëzimit që e duan lirinë!
Më herët shkoja në Prekaz pikërisht me 28 nëntor dhe ndjehesha si të isha në zgjua të bletës. Pastaj shkoja ditëve jashtë kësaj dite. Në 28 nëntorin e këtij viti nuk kisha vendosur të shkoj në Prekaz, por këmbëngulja e një shoku me të cilin shoqërohem më shumë se 50 vjet, Hajrullah Ukës nga Perani i Podujevës, e që më tepër se 30 vjet jeton në Gjermani, nuk më la asnjë mundësi ta refuzoja.
Hajrullah Uka nuk njeh tjetër festë përveç 28 nëntorit, nuk njeh tjetër flamur përveç atij kombëtar, nuk njeh tjetër ushtri përveç UÇK-së, nuk njeh tjetër komandant ushtarak përveç Adem Jasharit dhe nuk njeh tjetër frymëzim kombëtar përveç Bacë Adem Demaçit. Kur u lirua nga Burgu i Hagës Ramush Haradinaj, Hajrullah Uka erdhi nga Gjermania për të festuar lirimin e tij dhe vallëzoi, bashkë me qytetarë të tjerë në qendër të Prishtinës.
Jam i sigurt se kur të lirohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe luftëtarët e tjerë të lirisë që po mbahen pengje në Hagë, Hajrullah Uka do t’ia mësyjë këmbë për në Kosovë, për Festën e Madhe. E si ta refuzoja kërkesën e një patrioti që kishte dëshirë të shkojë në Prekaz vetëm me mua!
Shkuam në Prekaz, ku takuam dhe bashkëbiseduam me ata që kaluan në amshim, me patriotë të vërtetë, por edhe me horra, kryesisht të politikës, që mendojnë se duke vizituar Prekazin, këtë vend të shenjtë, mund ta përdorin për larje të mëkateve dhe shërim të ndërgjegjes së vrarë. Në këtë ditë dhe datë, edhe të pafytyrët veshin fytyra kombëtare si alkimi ditore.
2. VARRAGA: Gjatë diskutimeve për të kaluarën dhe të tashmen, nga e cila varej edhe e ardhmja, në dalje të Mitrovicës e huqëm rrugën; në vend se për Skenderaj, shkuam për Zubin Potok duke e kaluar këtë. E pashë një mbishkrim të fshatit Varragë që për mua nuk thoshte asgjë përveç një emërtimi identifikues.
Rruga prej daljes së Mitrovicës e thuajse deri në kufi me Serbinë ishte e qetë, jo shumë e ngarkuar; policët nuk dukeshin, por zgjonte interesimin e banorëve çdo veturë e panjohur dhe çdo person i panjohur. Kur pyetëm për rrugën dy serbë lokalë, një i moshuar dhe një i ri, i riu nuk e lejoi të moshuarin të flasë, por foli vetë duke na treguar rrugën.
Askush nuk do të mendonte që një fshat si Varraga, pas vetëm një dite të plotë, do të bëhej i njohur dhe i përmendur nga të gjitha qendrat vendimmarrëse në botë. Pas shpërthimit terrorist dhe dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, Varraga u bë epiqendër e interesimit, sepse po rrezikohej siguria e Kosovës, rajonit dhe ajo globale.
Pas një dite jo të plotë, fshati Varragë, në dukje të jashtme i qetë, u mbush me policë për ta hetuar rastin dhe për ta ruajtur sigurinë, si dhe me shërbime emergjente për të eliminuar dëmet nga ky shpërthim terrorist. Nëse merren pamjet e kamerave, sigurisht se aty do të dukemi Hajrullahu dhe unë, jo se vdisnim ta vizitonim Varragën, por sepse e humbëm rrugën.
3. UKRAINA: Ka hyrë në fundvitin e tretë në luftë me Rusinë, në mbrojtje të shtetit dhe qytetarëve të saj. Është një luftë e pabarabartë, dhe vetëm përkrahja e botës demokratike po e mban Ukrainën në këmbë, pa u rrëzuar dhe pa u dorëzuar. Përkrahje të jashtëzakonshme i dha edhe Kosova, në planin politik dhe ekonomik, përmes KM Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, bashkë me Donika Gërvallën-Schwarz, mendermethënë zëvendëskryeministre dhe ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Besnik Gjylekari i dha goditje të papërballueshme Rusisë, duke zbatuar të gjitha sanksionet, si asnjë vend tjetër në botë. Matrapazë dhe manipulues. Por, cila është ndërlidhja midis Ukrainës dhe Varragës? Fillimisht, një zëvendësministër i Drejtësisë, me një kapacitet profesional të një referenti juridik me sukses të mjaftueshëm, deklaroi se metoda e përdorur në Varragë ishte më parë përdorur nga rusët në Ukrainë.
Këtë budallaki logjike dhe materiale, KM Kurti e përdori në konferencë për media, duke menduar se të gjithë në botë vetëm këto fjalë i kanë pritur! Por kujt i intereson në botë se çfarë thonë Zoti dhe Rrogëtari? Jam i sigurt se vlerësuesit e sigurisë e kanë të ditur se ajo pjesë e Kosovës është e mbuluar dhe mbikëqyret nga dronët e shumtë dhe satelitët. Me një bashkëpunim dhe vullnet për ta zbuluar të vërtetën, kjo edhe do të ndodhë, përveç nëse interesat politike pengojnë zbardhjen e saj.
Një urti popullore thotë: “Kush ngutet, përmutet”. U ngutëm për rastin e Banjskës dhe fituam sanksionet. Nëse e përsërisim ngutjen me rastin e Varragës, çfarë do të fitojmë? Të trashët e Surlës. KM i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet të sillet me opinionin sikur çdo ditë të ishte 1 Prilli, Dita e Rrenave. Çdo herë që përplaset me Hashim Thaçin, vetëm se digjet.
Hashim Thaçi është pjesë e historisë më të re të Kosovës, në kohën kur Kurti mungonte. Historia mund të rishkruhet përmes manipulimit të çastit, por historia e pushtetit aktual (lexo: Albinit) është si një doner i papjekur mirë—hahet shpejt dhe po aq shpejt del nga zorrët. Kemi prekur fundin e pusit politik, moral, dhe kombëtar, kur antikombëtarët, disa ministra të Kurtit, shesin moral kombëtar duke sulmuar vlerat e vërteta kombëtare.
Merreni me mend, Agim Tartufi-Peçurka sulmon Ramush Haradinajn për tradhti duke i thënë, në stilin e George W. Bushit, “Enough is enough!” Agim Vaganica, i paekuilibruar dhe injorant ekzemplar. Dhe këta pastaj shkojnë në Prekaz. Varret morale dhe njerëzore vizitojnë Varret e Shenjta; të pandershmit shkelin në tokën e ndershmërisë. “Enough is enough” apo “Mjaft është mjaft” për horra të kësaj rase!