Prelec: Ka gjasa që Kosova të themelojë një asociacion bosh ose fare
Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se vendimi që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, do të duhej të negociohej në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë që i ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Sipas tij, dinari “nuk është vetëm një monedhë – për të mirë ose për të keq, komuniteti serb varet prej tij”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se vendimi për të, ashtu si dhe mbyllja e disa komunave paralele serbe në Kosovë, do ta ndikojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që pritet të formohet.
“Ashtu siç janë gjërat tani – ose nuk do të kemi asociacion, ose do ta kemi një sa për të thënë, që do të jetë një institucion bosh, të cilin Qeveria do ta krijojë në mënyrë të njëanshme, pa asnjë përpjekje reale për t’i plotësuar nevojat e komunitetit që supozohet se duhet ta ndihmojë. Dhe, kjo është për keqardhje”, thotë Prelec.
Ai, po ashtu, thekson se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian po përballen me ndikim të kufizuar në Kosovë.