Prelvukaj: S’ka vepër më të poshtër sesa ndërlidhja e UÇK-së me vrasjet e pasluftës
Historiani dhe artisti Genc Prelvukaj, ish-këshilltar i Memli Krasniqit, ka thënë se ndërlidhja e vrasjeve të pasluftës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është vepra më antikombëtare.
Ai ka shkruar se deri sot nuk ka asnjë provë që e dëshmon këtë.
“Nuk ka vepër më antikombëtare, më të poshtër se sa ndërlidhja, qoftë edhe tërthorazi, e UÇK-së me vrasjet e pasluftës”
“Deri më sot, nuk është gjetur asnjë provë e vetme, e cila vërteton që ka pasur ndonjë urdhër nga hierarkia e ushtrisë tonë, për veprime ndëshkuese të asaj forme”, ka shkruar Prelvukaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se nëse krimet individuale lidhen me emblemën e UÇK-së, atëherë ky mund të konsiderohet si qëllim i nxitur për ta denigruar luftën e shqiptarëve.
“Nëse veprimet hakmarrëse me motiv personal të një individi apo qoftë edhe devijimi i ndonjë eprori, me çdo kusht provohen të ndërlidhen me emrin dhe emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo nuk mund të kuptohet ndryshe veçse qëllim i nxitur nga jashtë për të denigruar luftën e drejtë të shqiptarëve drejt çlirimit”, ka shkruar Prelvukaj.