Premier Liga dominon futbollin
Klubet e Premier Ligës vijojnë dominimin e tyre përkundrejt rivalëve të tjerë evropianë, sa u përket fitimeve dhe shpenzimeve, sipas një raporti të fundit të publikuar nga UEFA.
Raporti “Peizazhi i klubeve evropiane të futbollit”, në numrin e 10 që trupa qeverisëse e futbollit evropian shqyrton gjendjen financiare të klubeve mes 55 federatave anëtare të saj, tregon se ekipet kryesore të Anglisë kryesojnë si në aspektin e të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve, me faturat më të larta të pagave.
Në vitin 2017, të ardhurat totale të ekipeve të Premier Ligë kapën shifrën e 5.3 miliard eurove (4.6 mld paund), gati dyfishi i atyre të La Ligës spanjolle (2.5 mld paund) dhe Bundesligës gjermane (2.4 mld paund), e konsiderueshëm më e lartë sesa ato të klubeve italiane të Serie A (1.9 mld paund) apo francezëve të Ligue 1 (1.4 mld paund), raporton “tch”. Manchester United kryeson listën mbi të ardhurat totale, me 593 mln paund për vitin 2017, vetëm rreth 1 mln paund më shumë sesa Reali i Madridit, e megjithatë klubi nga “Old Trafford” projektohet të bjerë ndjeshëm në renditje kur të përpilohet lista për vitin 2018.
Ndër 30 ekipet e para të raportit, 13 janë nga Premier League, kryesisht për shkak të të drejtave televizive që zënë thuajse 54 për qind të të ardhurave totale për klubet. Ndërkohë, fatura e përgjithshme e pagave të klubeve të Premier League kapi shumën e 2.6 mld paund për vitin 2017, lehtësisht më e larta në Europë. E kjo madje, pavarësisht zhvlerësimit të paundit përkundrejt euros, teksa Spanja dhe Gjermania ndjekin më pas në renditje.
Nëntë nga 20 lojtarët me pagën më të lartë luajnë në Premier League, konkretisht me Man. Cityn, Man. Utd., Chelsea, Liverpool, Arsenal, Tottenham, Crystal Palace, Leicester dhe Southampton. City i sheikëve është gjithashtu skuadra më e shtrenjtë në histori. Grupi i drejtuar nga Pep Guardiola, që fitoi titullin vjet dhe po ndjek Liverpoolin sivjet, ka një kosto totale prej 702 milionë paund.
Blerja e tyre rekorde verës së kaluar, Riyad Mahrez, për 60 mln paund, i ndihmoi “Citizens” të kapërcenin Realin e Madridit, skuadër me një kosto prej 693 mln paund. Manchester United është e treta në listë. Të 3 këto skuadra kushtojnë sa 40-50% më shumë sesa Chelsea i vendit të katërt.