Premtohet përkrahja e bizneseve vendore nga Qeveria

19 gusht 2020 | 14:40

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, si dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, të shoqëruar nga kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, kanë vizituar Zonën Ekonomike të Suharekës.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj si dhe Ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, u njoftuan për së afërmi me punën dhe problemet që ballafaqohet Komuna e Suharekës.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se kjo zonë është me rëndësi të veçantë pasi që këtu janë një mijë të punësuar dhe pretendimet janë që të rritet numri i punëtorëve.

“Jemi në unazën e majtë, e cila e shkarkon qytetin tonë, patëm nderin me e vizitua edhe zonën industriale se jemi para përfundimit të punimeve. Është një projekt shumë me rëndësi për qytetarët e komunës sonë, vlera është 2.5 milionë euro dhe besoj që sipas informatave qe morëm prej zv kryeministres dhe ministrit, është në plan dinamik, dhe besoj që këtë vit do të përfundojë. Është në interes për arsye se ne zonën industriale janë diku 1 mijë punëtorë dhe pretendimet tona janë që me vazhdua me u rritë numri i punëtorëve. Po ashtu edhe kjo rrugë ka rëndësinë shumë të veçantë për qytetarët tonë, që të shkarkohet qyteti dhe qytetarët tonë të kalojnë me lirë që të shkojnë ti kryejnë obligimet e veta”, ka thënë Muharremaj.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj, ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është të ofrojnë mbështetje kompanive që operojnë në këtë Zonë Ekonomike.

Ajo tha se Qeveria është e përkushtuar që të mbështesë bizneset vendëse.

“Bashkë me ministrin Krasniqi, dhe kryetarin Muharremaj kemi dashtë me e pa prej afër funksionimin e bizneseve, sidomos në këtë kohë të pandemisë. Përveç kësaj kemi dashtë me e pa edhe këtë pjesë e cila tashmë është kah ndërtohet, rregullohet dhe me marr edhe informacione shtesë nga kompanitë, përgjegjësit e kësaj pjese se kur do të përfundoi dhe për të parë nëse kanë telashe, sidomos në kohën e pandemisë. Pra jemi këtu për të dhënë mbështetjen e plotë, ashtu siç i kemi dhënë edhe qeverive të kaluara, ku në këtë pjesë janë investuar 2.5 milionë e që ne mendojmë se nuk do të përfundojë ky investim këtu, pra do të vazhdoi edhe më shumë”, ka thënë Balaj.

Ajo ka shtuar se kjo është ndër zonat model, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në regjion, prandaj Qeveria është e interesuar përveç punimeve këtu të ndihmojë bizneset me masa konkrete.

Edhe ministri Krasniqi ka thënë se këto punime do të jenë ndihmë e madhe për këto biznese si dhe për të tjerat që do të ndërtohen, duke thënë se gradualisht po kompletohet kjo Zonë Ekonomike.

“E pamë nga afër se shumë biznese, diku rreth 50 veç ushtrojnë veprimtarinë në këtë zonë, që mbi 1 mijë është numri i të punësuarve. Dhe në këtë aspekt, kjo rrugë, kjo unazë do të ju lehtëson edhe shumë më shumë këtyre bizneseve, dhe atyre të tjerave, që diku edhe 30 të tjera do të kenë hapësirë që të instalojnë biznesin e tyre ne këtë zonë, dhe kështu gradualisht po përmbyllet kjo zonë ekonomike”, ka thënë Krasniqi.

Kjo unazë që pretendohet se do të zhbllokojë dukshëm komunikacionin rrugor do të kushtojë 2.5 milionë euro, ndërsa punimet pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti. /KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takim kryetarin…