Premtohet spektakël në FIBA 3×3 Challenger Prishtina
Të enjten mbrëma në sheshin “Zahir Pajaziti” është organizuar konferenca e parë për medie kushtuar garës ndërkombëtare FIBA 3×3 Challenger që do të mbahet më 16 e 17 korrik në Prishtinë.
Në konferencën e parë për medie ishin të pranishëm ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe drejtori i klubit 3×3 Prishtina, Fisnik Juniku, të cilët u zotuan se kjo ngjarje do të jetë një spektakël i vërtetë.
Për herë të parë në Kosovë, më saktësisht në Prishtinë, do të organizohet një ngjarje prestigjioze siç është Challenger 3×3 Prishtina. Organizator i kësaj ngjarjeje madhështore është Klubi 3×3 Prishtina në mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), komuna e Prishtinës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Në këtë Challenger do të marrin pjesë 12 ekipe të huaja dhe 4 ekipe nga Kosova (përmes Wild Card).
Shpërblimin për vendin e parë, dytë dhe të tretë në total është 40 mijë euro. Po ashtu, finalistët kualifikohen për në Debrecen të Hungarisë, në Masters, në ngjarjen më të madhe që mbahet.