Premtohet zgjidhje për çështjen e furnizimit me ujë në Fushë Kosovë
Shumë shpejt qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës do të kenë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.
Kjo pasi që ministri Hamza ka arritur pajtueshmërinë ndërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe KRU “Prishtina” përmes propozimeve konkrete për të amandamentuar marrëveshjen e projektit nga Faza e III e projektit për ndërtimin e Fabrikës për ujë të pijshëm në Shkabaj.
Sipas kësaj pajtueshmërie, mjetet e mbetura në projekt të përdoren për furnizimin me ujë për qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të furnizimit me ujë për qytetarët e komunës së Prishtinës.
Ministri Hamza pas një angazhimi të madh ka mundësuar zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës.
Përveç këtij investimi, me këtë amandamentim parashihen edhe investime tjera për Komunën e Prishtinës, siç janë: Vendosja e pompës shtytëse nga Stacioni i Pompave Mirdita II në Rezervuarin Mirdita III në Matiqan; Rehabilitimi i rrjetit (zëvendësimi i rrjetit të vjetër me rrjetin e ri) të ujësjellësit në Bregun e Diellit – Zona Qendër dhe Zona e Perëndimit në Prishtinë; dhe Rehabilitimi i rrjetit (zëvendësimi i rrjetit të vjetër me rrjetin e ri) të ujësjellësit në Lagjen e Medresesë në Prishtinë.