Premtohet zgjidhje për segmentin e rrugës Zahaq dhe Pavlan të Pejës
Të autorizuar nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Pal Lekaj, një ekip nga MIT, të martën takuan banorët e Zahaqit dhe Pavlanit të Pejës, të cilëve u ofroi zgjidhje sa i përket kyçjeve në rrugën nacionale N9, segmenti Zahaq – hyrja e Pejës.
“Në emër të ministrit Lekaj, banorëve iu adresua shefi i kabinetit të ministrit, Argjend Zejnaj, i cili kërkoi mirëkuptimin e banorëve të këtyre lokaliteve dhe u premtoi atyre se në afatin më optimal MIT, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do t’u ofrojë zgjidhje adekuate konform parametrave të sigurisë së trafikut dhe rregullave teknike infrastrukturore të kësaj rruge. Zejnaj tha se nga muaji gusht i këtij viti do të fillojë implementimi i katër rreth rrotullimeve dhe një hyrje – dalje në këtë segment rrugor”, thuhet në njoftimin e MIT.