Premtoi 50 euro për ata që votojnë Albin Kurtin – I akuzuari pranon fajësinë dhe pendohet

28 shkurt 2025 | 13:21

Xhem Hoxha e ka pranuar fajësinë dhe është penduar se në nëntor 2024, përmes Facebook-ut premtoi nga 50 euro kushdo që e voton Albin Kurtin në fshatin Ngucat të Malishevës.

Ai akuzohet për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” ku dënimi parashihet me burgim prej një deri në pesë vjet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Hoxha e ka pranuar fajësinë se në nëntor të vitit 2024 bëri thirrje për të votuar Kurtin në këmbim të 50 eurove. Fillimisht, në seancë është bërë leximi i aktakuzës nga prokurori Enis Gashi.

“E pranoj fajësinë, jam pendu, premtoj se në të ardhmen nuk do të kryej vepra të tilla apo të ngjashme penale, asnjëherë s’jam marrë me parti, dhe asnjëherë s’kam votuar”, tha i akuzuari.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Hoxha është pajtuar nga prokurori Gashi. Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ergjyment Barbullushi.

“I mbrojturi im ishte korrekt me pranimin e fajësisë, duke e shprehur në mënyrë të vullnetshme, mirëpo gjykata me siguri do ta vlerëson këtë deklarim të mbrojtësit tim me të cilën potencon që qëllimi i tij ka qenë që të mahitet me këtë veprim dhe jo të përfitojë nga ai premtim”, tha Barbullushi.

Më pas, pranimi i fajësisë është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 3 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, thuhet se më datë 27 nëntor 2024, rreth orës 10:00 në Malishevë, i akuzuari Xhem Hoxha, premton, ofron për të jap ndonjë përfitim me qëllim që të ndikojë atë person për të votuar në favor të një personi, në atë mënyrë që me datën e lartcekur publikon në rrjet social facebook duke iu premtuar votuesve përfitim “përshendetje për të chith kush e voton albin në ngucat lirisht let vje ti merr te une për person 50 ero Rrespekt”.

Aktakuza thotë se pas kësaj zyrtarët policor pas pranimit të informacionit se i njëjti ka bërë këtë publikim përmes rrjetit kanë veruar menjëherë ku kanë kërkuar të pandehurin në shtëpinë e tij dhe pas njoftimit nga ana e familjarëve i njëjti ka hequr këtë postim nga rrjeti social.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 par.1 të Kodit Penal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Përmbaruesve Privatë (OPP) ka dalë me reagim përmes…