Prerja e frikës si parabolë
Prof. dr. Hysen Matoshi
(Fehmi Pireva, “Prerja e frikës”, “Doruntina”, Prishtinë, 2019, 190 f.)
Pasi ka botuar katër përmbledhje poetike, dy për lexues të vegjël dhe dy për ata të rritur, pasi ka dëshmuar se poezia është një trajtë e veçantë e ligjërimit të tij artistik, emocional e ideor, Fehmi Pireva vjen në rrjedhat e sotme të letërsisë shqipe me një vepër të shkruar në prozë. Nëse nëpërmjet poezisë ka zbuluar të tjerët në veten e tij, më bëhet sikur nëpërmjet kësaj proze, në të kaluarën dhe në tashmen e vendlindjes, e kërkon veten midis të tjerëve. Janë përjetimet e tij, kujtimet e tij dhe të të tjerëve, por që janë përvetësuar prej tij, ato që na shpijnë në botën e madhe të rrëfenjave interesante të një vendi të vogël.
Gjatë leximit të kësaj proze lind natyrshëm një dilemë: cilit zhanër i përket? Ndonëse nuk është fjala për një prozë të gjatë në aspektin vëllimor (sipas kriterit të Forsterit romani duhet të ketë më shumë se 50 mijë fjalë, ndërsa kjo vepër letrare ka rreth 47 mijë sosh), ajo i plotëson pjesën më të madhe të kritereve klasifikuese zhanrore për t’u renditur ndër romanet. Së pari, ka një fabul të qëndrueshme, e cila lexuesit të saj ia bën të mundur ta receptojë, pa ndonjë vështirësi, linjën kryesore narrative; së dyti, dimensioni kronologjik i të ndodhurave është ruajtur nëpërmjet faktit se ngjarjet rrjedhin nga mugëtira mitologjiko-arkeologjike e deri te zhvillimet më të reja që sollën “fundin e frikës”; së treti, edhe pse nuk ka një ngjarje bosht, është e qartë se koha e rrëfimit të ngjarjeve kapërcen shekujt – ato me ritmin e ndërrimit të pushtuesve e të pushteteve, pasojnë njëra-tjetrën, duke lënë gjurmë dhembjesh në jetën dhe në kujtesën e banorëve të lagjes; së katërti, prania e narratorit të gjithëdijshëm, i cili rrëfen, drejtpërdrejt ose indirekt, për të ndodhurat e njohura prej tij, si të përjetuara apo si të dëgjuara, natyrisht duke e relativizuar jo në pak raste gjithëdijen e tij rrëfimtare dhe duke bërë vend edhe për imagjinatën e lexuesit.
Nëse në vepra të ndryshme letrare kërkojmë ndërlidhjen e fakteve jetësore të autorit me produktin e tij, në romanin “Prerja e Frikës” do të mund të kërkonim në një drejtim të kundërt për të gjetur qoftë edhe ca dromca jobiografike. Ndaj mund të thuhet se, bazuar në një kuantum të dhënash paraletrare, gjithsesi arkepitore në planin personal, para se të shkruhej ky roman – ai është jetuar, para se të përshkruhen ngjarjet – ato janë përjetuar.
Rrjedhimisht autori nuk ka zgjedhur ndonjë temë të madhe, nuk ka kërkuar burime motivuese përtej ambientit në të cilin ka lindur dhe është rritur si individualitet. Rrëfenjat e ndërlidhura janë produkt i përjetimit dhe perceptimit fëmijëror të botës, të njohjes me të panjohurën, me dimensionin fantastik që zhvillohej në lagjen e narratorit dhe në mendjen e tij, që këtu tregohen me një sinqeritet deri në shkallë të naivitetit, madje shpeshherë edhe pa e krijuar një distancë njohëse të dukurive. Autori, në romanin e tij, e rindërton rrëfimin nga një distancë e madhe kohore, duke ruajtur preokupimet kryesore të tij, është një roman për veten dhe gjithçka ka të bëjë me veten. Si i tillë, një pikëshikimin i subjektivizuar, romani ruan në vete shenja të një sinkretizmi ndërgjinor, duke nxjerrë në pah edhe aspekte të qarta lirike.
Ndonëse si motivacion është produkt i reagimit të individit, i cili vjen në jetë dhe ngrihet duke mësuar, duke njohur anën enigmatike të jetës dhe jo rrallë edhe duke u habitur, “Prerja e frikës” ka elemente të romanit të hapësirës. Me pak përjashtime gjithçka ndodh në një lagje, e cila e shënon përkufizimin hapësinor të personazhit të nënkuptuar si autor, për të treguar historitë e largëta, por edhe ndodhitë pazakonshme dhe ato të përditshme. Hapësira në këtë rast shfaqet edhe si kufi i kohës, përkatësisht kohët tregojnë ndryshimin e tyre brenda hapësirës unike, brenda lagjes. Pse të mos thuhet se është një roman për vendlindjen e ëndrrave, të gëzimeve, të përplasjeve dhe të zhgënjimeve.
Romani “Prerja e frikës” përshkohet nga shtresime interesante mitologjike dhe etnologjike. Kuçedra dhe nëna e bunarit përbëjnë dimensionin e një bote fantastike, që shpërfaqet në botën imagjinative të fëmijëve, por njëkohshëm romani gëlon nga pasuse etnografike, të përshkruara me një vëmendje të veçantë përgjatë kapitujve të tij. Pa dyshim ndër to janë besëtytnitë e plakave, pastaj edhe insistimi i tyre për të ruajtur jetën tradicionale zë vend të rëndësishëm për vënien në pah të veçorive tradicionale të jetës në lagje, të cilat shpërfaqen më mirë nëpërmjet përplasjes së koncepteve.
Ka edhe përshkrime interesante të ngjarjeve që qëndrojnë ndërmjet realitetit dhe imagjinatës, sikundër është kalimi i Hasimit me kalë nëpër urën e drunjtë të këmbësorëve dhe “fluturimi” i tij në lumë, përpjekja për ta vënë në lëvizje Bulldogun – krenarinë e fëmijëve, lufta për Sheshin e Kumbullave etj., por edhe ngjarje rrëqethëse si ndalimi i ndërtimit të shkollës për fëmijët e lagjes, arrestimi i Ilirit, lëvizjet e tankeve kërcënuese përballë shtëpive etj.
Personazhet janë kryesisht prototipa, tipa të modifikuar dhe jo rrallë edhe shëmbëlltyra veristike të njerëzve me të cilët autori ka bashkëjetuar dhe ka ndarë përjetimet në lagjen e jetës së tij. Këtu do të vlente më shumë rregulla se “çdo shmangie nga personat faktikë, sikurse edhe nga ndodhitë e vërteta e hsitorike, është e rastit”. Prerja e frikës së fëmijëve të cilët vononin të ecnin, si një rit që zbatohej nga plakat te bunari i shtëpisë, është funksionalizuar nga autori si një parabolë interesante e prerjes së frikës kolektive, e asaj frike që si komb na kishte vonuar në ecjen tonë drejt lirisë.
Një autor nuk bëhet i madh për faktin se shkruan për ngjarje të mëdha, tema të rëndësishme dhe për persona të famshëm. Fehmi Pireva, me romanin e tij “Prerja e frikës”, ka dëshmuar se mund të shkruhen vepra letrare të arrira, në të cilat trajtohen tema e ngjarje të zakonshme, në të cilat bëhet fjalë për njerëz të rëndomtë. Mjeshtëria letrare, më parë se me materien, ka të bëjë me mjetet shprehëse, strukturimin e lëndës letrare, teknikën e rrëfimit etj. Fehmi Pireva, ndonëse ka ruajtur mënyrën tradicionale të rrëfimit, ka dëshmuar se proza është një formë letrare po aq e suksesshme sa edhe poezia e tij.