Presidenca dekoron Fadil Vokrrin me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, pas vdekjes, ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin.
Me motivacion kontributin e dhënë të Fadil Vokrrit për promovimin e sportit kosovar në botë dhe për anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, presidenti dekoratën ua ka dorëzuar bashkëshortes dhe dy djemve të Vokrrit. Thaçi ka thënë se vdekja e Fadil Vokrrit ishte një humbje e madhe për familjen, bashkëpunëtorët, qytetarët dhe sportin kosovar.
“Aty ku ishte Fadili, ishte fytyra e Kosovës. Të gjithë jemi të pikëlluar me vdekjen e Fadilit, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për rolin e tij historik në promovimin e Kosovës në botë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka shtuar se në kohërat më të rëndësishme, Fadil Vokrri ka ndihmuar në zhvillimin e futbollit dhe në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë.