Presidenca dhe qeveria koordinohen për politikën e jashtme dhe mbrojtjen
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takimin e parë koordinues ndërinstitucional kryeministrin Albin Kurti si dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Presidentja Osmani ka diskutuar me kryeministrin Kurti për nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes si dhe çështjes prioritare të sigurimit sa më të shpejtë të vaksinave kundër Covid-19.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti u pajtuan se përpjekjet e përbashkëta, si dhe adresimi i koordinuar i këtyre temave, do të sjellë rezultate më konkrete.
Osmani dhe Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional në mes të institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës për realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare. Ata, po ashtu, shprehën gatishmërinë për t’i vazhduar përpjekjet për adresimin e nevojave të menjëhershme të qytetarëve që lidhen me pasojat shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia Covid-19.