Presidenca distancohet nga hapja e Ambasadës në Jerusalem: Është bërë me dekret të Thaçit
Presidenca është distancuar nga hapja zyrtare e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.
Bekim Kupina, këshilltar i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është bërë me dekret të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se dekreti për hapjen e kësaj ambasade është nxjerr më 27 tetor të vitit të kaluar.
Postimi i plotë i Kupinës:
Sqarim për media:
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Izrael nuk është bërë me dekretin e u.d. Presidentes Vjosa Osmani, por me dekret të ish-Presidentit Thaçi.
Dekreti me numër 155/2020, i datës 27 tetor 2020 për hapjen e kësaj Ambasade është nënshkruar nga ish-Presidenti, Hashim Thaçi, me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për hapje të ambasadës me seli në Jerusalem.
Pra, dekreti për hapjen e kësaj Ambasade është përpara se Vjosa Osmani ta marrë detyrën e u.d. Presidentes.