Presidenca e Shqipërisë: Vota kundër ShBA-së në OKB ishte e panevojshme
22 dhjetor 2017
| 14:19
Zëdhënësi i presidentit të Republikës së Shqipërisë, Tedi Blushi, ka komentuar votën e djeshme të Shqipërisë kundër ShBA-së në lidhje me Jerusalemin.
“Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar. Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar. Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë se ShBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara. Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të ShBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”, ka thënë Blushi.