Presidenca flet për bojkotimin e ambasadorëve të QUINT-it në pritjen e djeshme shtetërore
Me ftesë të presidentes së shtetit Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, dje është mbajtur pritja shtetërore për nder të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Përkundër pjesëmarrjes së disa ambasadorëve, në këtë ngjarje u vërejt mungesa e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it të cilët i bojkotuan Kurtin dhe Osmanin.
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, tha se ndonëse në këtë pritje nuk ishin ambasadorët, aty ka pasur përfaqësues të tjerë të shteteve të QUINT-it.
“Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv/ambasadorë”, tha Kupina për “Klan Kosova”.
“Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka thënë ai.
Përpos mungesës së ambasadorëve, në shënimin e 24-vjetorit të çlirimit, në organizim të presidentes Osmani e kryeministrit Kurti, munguan edhe krerët e opozitës.