Presidenca jep detaje nga takimi i Osmanit me presidentin e Këshillit Evropian

04 dhjetor 2024 | 13:54

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel, është pritur në takim nga presidenti i Këshillit Evropian, Antinio Costa.

Në këtë takim, presidentja Osmani e ka uruar atë për detyrën e re, duke shpresuar në vazhdimin e bashkëpunimit në interes të përbashkët.

Presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës, sulm ky që kishte për qëllim që të linte një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe me pengesa në sistemin e telekomunikimit.

Ajo ka prezantuar para presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, i cili ishte akt agresioni ndaj Kosovës. Ajo shtoi se kryeterroristi që kishte zbatuar urdhërat e Beogradit zyrtar për sulme ndaj Kosovës, pra Radojçiq, akoma është i lirë dhe kjo dëshmon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e plotë të Kosovës për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar për  hetimin e aktit terrorist kundër infrastrukturës vitale në Kosovë, gjersa i ka falënderuar BE-në, ShBA-të si dhe shtetet e tjera të NATO-s, dhe përtej për solidaritetin e treguar dhe ndihmën e ofruar.

Ajo ka potencuar se është shumë me rëndësi, që përveç hetimit, puna jonë e përbashkët të fokusohet edhe në parandalimin e sulmeve të reja.

Presidentja ka theksuar se në mënyrë që të garantohet stabilitet në Ballkanin Perëndimor është më rëndësi që të jemi unik në luftimin e kërcënimeve që rrezikojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës dhe gjithë rajonit.

Ajo ka theksuar se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e objektivave të saj të integrimit evropian, ndaj ka kërkuar mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE.

Për më tepër, presidentja ka nënvizuar se heqja e masave kufizuese do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar në vlerat dhe vizionin e përbashkët të Bashkimit Evropian, duke argumentuar sërish se ato janë të padrejta dhe se e dëmtojnë më së shumti popullin e Kosovës, por edhe vet parimin e balancit dhe paanshmërisë në dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjenerali Lahi Brahimaj, ka kujtuar në 26-vjetorin e rënies në…