Presidenca maqedonase e justifikon përdorimin e emrit “Maqedoni”
“Presidentja maqedonase në daljet e saj publike ka të drejtë të përdorë emrin ‘Maqedoni’, si akt i së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”.
Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, pas reagimeve të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, por edhe të Bashkimit Evropian.
Ndër tjerash në komunikatë thuhet se “presidentja Gordana Silanovska-Davkova do t’i përmbahet përdorimit zyrtar të emrit kushtetues”. Aty sqarohet se betimin solemn, Davkova e ka nënshkruar bazuar në Kushtetutën e vendit, respektivisht me emrin kushtetues, shkruan Rel.
“Institucionet maqedonase, në pesë vjetët e fundit, i kanë përmbushur pothuajse plotësisht obligimet e tyre nga Marrëveshja e Prespës dhe presidentja pret që të gjithë partnerët e Maqedonisë së Veriut t’i respektojnë obligimet bilaterale dhe shumëpalëshe që i kanë marrë ndaj vendit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e presidentes Gordana Silanovska-Davkova.
Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të dielën, më 12 maj, gjatë betimit nuk e përmendi emrin Maqedoni e Veriut, por vetëm Maqedoni.
“Betohem se do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, kishte deklaruar Davkova duke lexuar betimin si presidente para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me këtë , kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se Athina nuk do të tolerojë “lapsuse” të tjera të krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, në raport me detyrimet që kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
Mitsotakis ka thënë se “Greqia refuzon manipulime si ato, me të cilat zonja Silanovska hapi mandatin e saj” dhe i bëri thirrje që t’i respektojë detyrimet ligjore dhe t’u përmbahet obligimeve që dalin nga roli i saj si presidente.
“Ne deklarojmë se kategorikisht nuk do të pranojmë ‘lapsuse’ të ngjashme. Dhe, përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Dhe, sigurisht, nga shmangia e sfidave”, transmetojnë mediat greke një deklaratë të kryeministri grek, Mitsotakis.