Presidenca ndan gati 19 mijë euro për furnizim me kutia të veçanta për dhurata protokollare

30 korrik 2024 | 20:13

Presidenca e Kosovës ka nënshkruar kontratë në vlerë gati 19 mijë euro për furnizim me kutia të veçanta për dhurata protokollare, shkruan Reporteri.net.

Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-prokurim, me këtë shumë parashihet furnizimi me rreth 170 kuti të tilla, me madhësi e specifikacione të ndryshme. Më së shumti do të blihen kuti për vendosjen e broshave, apo 60.

“Kuti e lëkurës ekskluzive e kualitetit të lart per vendosjen e broshit. Kutia e drurit me mure 1.2 cm e mveshur me lëkur ngjyre e kaltër e mbyllur. Mveshja duhet te jetë nga materiali lëkur 0.4 mm trashësi me shkëlqim 15%, e fryrë me sfungjer përfundi dhe e qepur përreth. Nga jashtë kutia duhet te ketë logon zyrtare te Presidencës te shtypur me relief ngjyrë ari dhe hapja te jete me mbyllëse menteshe nga metali ngjyrë ari. Pjesa e brendshme e kutisë ne kapakun e sipërm duhet te jetë e mveshur me material saten pana apo perle me shkëlqim 10% dhe po ashtu ne te të shtypet logoja zyrtare e Presidencës  me ngjyrë ari te mbyllet, si dhe pjesa e poshtme te ketë brenda folen nga shtofi apo plishi ngjyrë teget. Duhet te ketë prerjen ne mes ku vendoset kapësja e broshit si dhe shiritin tërheqës bashk me këmbëzën qe ja mundëson te qëndroj ne këmbë – madhësia e broshit është me diametër: 4.5 cm.Dimensionet e kutisë duhet te jene me pikat e brendshme 10x10x4 cm”, janë specifikacionet për këto kuti.

Në të gjitha, pjesën e jashtme të tyre, duhet të vendoset logoja zyrtare e Presidencës së Kosovës.

Kontratën e ka fituar Shpresa Dedinja B.I, derisa vlera e përgjithshme e saj është 18 mijë e 962 euro.

Kjo kontratë është për 24 muaj apo dy vite. Nënshkrimi i saj është paraparë të bëhet sot.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flakët, të ndihmuara dhe nga era, janë afruar me shpejtësi…