Presidenca: Nëse vijnë propozimet për tërheqjen e ambasadorëve, do t’i shqyrtojmë
Zyra e Presidencës së Kosovës ende nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë propozim për tërheqje ambasadorësh, çështje për të cilën disa ka njoftuar ministri i Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca.
Në një përgjigje nga Zyra për media e Presidencës, është thënë se nëse vijnë këto propozime do të shqyrtohen.
“Nëse këto propozime vijnë zyrtarisht nga ana e Qeverisë, presidenti gjithsesi që i shqyrton”, është thënë në këtë përgjigje.
Pavarësisht kësaj, emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve është drejtë ekskluzive kushtetuese e presidentit të Republikës së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar sot tërheqjen nga misionet diplomatike për ambasadorët: Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.