Presidenca nuk e quan dështim tërheqjen e platformës së dialogut nga Kuvendi
Këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka thënë se tërheqja e platformës së dialogut nga pika e rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës u bë në koordinim me presidencën.
“Unë mendoj se tërheqja e sotshme e platformës e cila ka qenë e miratuar nga Qeveria e cila pastaj është procesuar për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës është tërhequr në koordinim të plotë ndërinstitucional që nënkupton në koordinim me presidentin, kryetarin e Parlamentit dhe me sigurti edhe me kryetarët e shefave të grupeve parlamentare të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Çollaku në “Pressing”.
Një veprim i tillë është mirëpritur nga institucioni që udhëhiqet nga Hashim Thaçi.
“Mendoj se është bërë mirë që është tërhequr sepse si e tillë është e qartë se po të hidhej në votim ose diskutim do të sillte përplasje edhe më të mëdha dhe në fund nuk do të miratohej. Krejt qëllimi i këtij debati politik që është duke ndodhur ditëve të fundit me një dinamikë tepër të shtuar dhe me qëllimin e vetëm ndërtimin e konsensusit politik dhe shoqëror për të qenë sa më të përgatitur për fazën finale të dialogut prandaj nuk e konsideroj fare si një dështim, e konsideroj si një veprim tepër të matur të Qeverisë dhe të akterëve politik sepse në këtë mënyrë u jepet kohë më tutje akterëve politikë, partive politike, shoqërisë civile që a ndërtojnë konsensusin e nevojshëm politik për këtë qëllim”, ka deklaruar Çollaku.