Presidenca reagon ndaj deklaratave të Spahiut për Osmanin: Deklaratat e tij, shembull klasik i paragjykimeve gjinore

23 mars 2025 | 19:12

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes ka reaguar ndaj deklaratace të njohësit të çështjeve politike, Nexhmedin Spahiut për presidenten Vjosa Osmani.

Në reagimin e tij thuhet se këto deklarata janë shembull klasik i paragjykimeve gjinore dhe siç thuhet, i shpifjeve të ndyta të politikanëve të dështuar, të cilët sipas tij, pasi që nuk arritën të fitojnë as në komunën e tyre, tani përpiqen të zhvlerësojnë suksesin dhe angazhimin e të tjerëve.

“Nexhmedin Spahiu – një mizogjen që sulmon përfaqësimin e dinjitetshëm të Presidentes Vjosa Osmani në arenën ndërkombëtare Deklaratat e Nexhmedin Spahiu janë një shembull klasik i paragjykimeve gjinore dhe i shpifjeve të ndyta të politikanëve të dështuar, të cilët pasi që nuk arritën të fitojnë as në komunën e tyre, tani përpiqen të zhvlerësojnë suksesin dhe angazhimin e të tjerëve”, thuhet në reagim.

Kupina tha se të thuash se Osmani ka arritur të krijojë kontakte ndërkombëtare vetëm për shkak se është grua dhe ajo në takime me partnerë ndërkombëtarë vetem tenton të “duket bukur”, e të flasë për veten, sipas tij, është një tentativë e ulët për ta minimizuar siç tha ai “punën e palodhshme dhe përkushtimin e Presidentes në arenën ndërkombëtare”.

“Për më tepër, këto deklarime mizogjene, tregojnë primitivizëm të skajshëm, sulme të padinjitetshme ndaj institucionit më të lartë në vend dhe mungesë të njohurive bazike të marrëdhënie ndërkombëtare. Presidentja asnjëherë nuk flet për veten në takime me aleatët tanë, por përkundrazi, shtynë përpara vetëm interesin e Kosovës”.

“Nexhmedin Spahiu shpifë në mënyrë të ndytë kur thotë se Presidentja kontaktet ndërkombëtate i “shfrytëzon për njohje personale”, e jo për të mirën e Kosovës. Presidentes asnjë nga kontaktet ndërkombëtare nuk i duhen për njohje personale por çdo prezencë ndërkombëtare e ka shfrytëzuar vetem e vetem për të shtyer përpara interesin e Kosovës. Këtë mizogjenët nuk kanë se si ta kuptojnë, sepse urrejtja e tyre patologjike nuk i len të shohin qartë punën e presidentes”, thuhet në reagim.

Kupina gjithashtu tha se Kosova sot ka një prezencë më të fuqishme se kurrë më parë në arenën ndërkombëtare, duke u ftuar në organizime e samite ku sipas tij, Kosova kurrë më parë nuk është ftuar e nuk ka pasur zë.

“Ky sukses është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm dhe punës së palodhur të Presidentes për t’i mbrojtur interesat e shtetit. Humbësit në garën për vlerësim nga sovrani, sikurse Nexhmedin Spahiu, gjuha primitive e të cilit gjithnjë u refuzua nga qytetarët, duhet të reflektojnë mbi dështimet e tyre dhe të ndalojnë me këtë qasje të stërvjetëruar dhe të dëmshme për shoqërinë”.

“Sa i përket qëndrimit të Presidentes Osmani ndaj agresionit rus, është absurde dhe tërësisht pa sens të thuhet se mbështetja e Kosovës për Ukrainën është kundër interesave kombëtare. Kosova ka mbrojtur të drejtën ndërkombëtare e të drejtat e njeriut dhe ka linjëzuar politikën e saj të jashtme tërësisht me atë të SHBA-së dhe BE-së. Çdo hezitim në përballjen me politika ekspansioniste e gjenocidale do të kishte pasoja të rënda për Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Ata që sot kritikojnë këtë pozicion duhet të shohin veten në pasqyrë dhe të reflektojnë për vendimet e tyre, nëse kanë fytyrë, përpara se ta sulmojnë dikë që mbron me dinjitet interesat e Kosovës dhe pozicionin e saj si aleate e botës demokratike”, thuhet tutje në reagimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ish-Sekretaren e Shtetit,…